Nga java e ardhshme, pa autobusë në Prishtinë? “Trafiku Urban” paralajmëron pezullim

N.P.K. “Trafiku Urban” SH.A. njofton se ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikon të pezullohet plotësisht nga java e ardhshme, për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore.

“Kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes. Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët.”,  thuhet në reagimin e Trafikut Urban.

“Pavarësisht bilancit pozitiv dhe performancës së qëndrueshme të ndërmarrjes, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt.

“Trafiku Urban” mbetet i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe apelon për zgjidhje të menjëherëshme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë.”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button