Nga kokaina te bomba, zbulimi befasues i policisë në zemër të kryeqytetit

Një aksion policor i zhvilluar mbrëmjen e së premtes në rrugën “Jakov Xoxa” në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprimtari kriminale të lidhur me shit-blerjen e narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas burimeve të policisë, gjatë kontrollit fillestar ndaj të dyshuarit – shtetas kosovar – janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 11 fishekë, një telefon mobil dhe 140 euro para të gatshme.

Në bashkëpunim me prokurorin e rastit, janë kryer kontrolle të mëtejshme në dy banesa dhe në disa podrume të objekteve banesore që i dyshuari i kishte në shfrytëzim. Gjatë këtyre kontrolleve, policia ka gjetur dhe sekuestruar 17.08 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, një mjet shpërthyes (bombë), një armë automatike AK-47, një pistoletë shtesë, 20 fishekë, një peshore digjitale për matjen e narkotikëve, si dhe një DVR të kamerave të sigurisë.

Pas përfundimit të veprimeve hetimore fillestare, me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse rasti lidhet me ndonjë rrjet tjetër të shpërndarjes së substancave narkotike.

Back to top button