Nga sot do të bllokohen disa rrugë, Policia kërkon mirëkuptim
Të premten në Kosovë do të vijë presidenti i Maltës, George Vella, i cili do qëndrojë për vizitë disa ditore në vend.
Policia e Kosovës njoftoi se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë, mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, të disa segmenteve rrugore, kryesisht në kryeqytet ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen aktivitete.
Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkoi mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Ndërsa nga data 21 deri 23 tetor 2022, me iniciativë të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, në Kosovë do të organizohet edicioni i parë i Forumit të Grave për Paqe dhe Siguri.
Për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij evenimenti janë paraparë planifikime operacionale nga Policia e Kosovës, duke filluar nga sot ku pritet të vijnë personalitete nga vende të ndryshme, si dhe në dy ditët e ardhshme.
Përgjatë këtyre ditëve, Policia njoftoi se mund të ketë qarkullim më të intensifikuar të pjesëmarrësve dhe automjeteve në lokacione të caktuara, si dhe mund të ketë bllokim të përkohshëm të disa rrugëve, prandaj për të mundësuar qarkullim dhe riorientim në trafik do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante./21Media