Nga sot nis fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit

Sot ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.
Fushata do të zgjasë për një muaj rresht.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se të drejtë vote për këto zgjedhje kanë 2 milionë e 75 mijë e 868 votues, përfshirë edhe votuesit nga diaspora.
Partitë politike sot hapin zyrtarisht fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.
Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.
Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.
Ndërkaq, koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45.
Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30.
Nga 9 janari ka filluar votimi me postë.
Me ndryshimet ligjore, këtë herë heshtja zgjedhore do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre. Hapja e qendrave bëhet në orën 7:00 dhe mbyllen në 19:00. Heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Nga listat zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin qeverinë e re./21Media