Nga sot terminet në Ambasadën gjermane do të jepen me short

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka ndryshuar procedura e dhënies së termineve për visa.
Ambasada ka njoftuar se për shkak të kërkesës tejet të lartë për caktim të termineve, e cila i tejkalon dukshëm terminet që janë në dispozicion, duke filluar nga 01 dhjetori 2021 terminet do të caktohen nëpërmjet procedures së tërheqjes së shortit.
“Në fillim të secilit muaj do të hapet dhe qëndrojë e hapur për 2 deri 3 javë një listë e regjistrimeve për termine për aplikim për vizë. Nga data 01.12.2021 në orën 14:00 fillimisht do të hapet një listë e re e regjistrimeve për kërkesa për termine. Kjo listë do të jetë e hapur për regjistrime gjatë gjithë kohës deri më 17.12.2021 në orën 12:00. Lista më pastaj nuk do të mbyllet, sikurse ka qenë rasti deri tani, kur është arritur një numër i caktuar i përgjithshëm i regjistrimeve. Në vend të kësaj, lista aktuale e regjistrimeve do të mbyllet më 17.12.2021 në orën 12:00 dhe nga të gjitha regjistrimet, nga gjeneratori i rastësishëm i drejtuar në mënyrë kompjuterike në një procedurë të shortit do të përzgjidhen ata, të cilët e marrin një termin për aplikim në janar/fillim të shkurt 2022.”, është bërë e ditur në njoftimin e Ambasadës ditë më parë.
Sipas Ambasadës, procedura e shortit do të realizohet në javën e 51. kalendarike në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin nën mbikëqyrjen e më shumë personave. Në javën e fundit të dhjetorit, të gjithë personat që përzgjidhen do të njoftohen për datën e saktë terminit për vizë në periudhën në mes janarit dhe shkurtit.
“Të gjitha regjistrimet e bëra nga data  1-17 dhjetor marrin pjesë në procedurën e shortit, pavarësisht se kur janë bërë. Regjistrimi më herët nuk paraqet përparësi kundrejt një regjistrimi të mëvonshëm brenda kësaj periudhe. Regjistrimet e shumëfishta përjashtohen. Ndryshimet e mëvonshme të të dhënave gjatë regjistrimit nuk janë të mundura. Kalimi i një termini një personi tjetër nuk është i lejueshëm. Angazhimi i personave të tretë (p.sh. agjencioneve) nuk është i nevojshëm dhe nuk sjell asnjë përparësi.”, është bërë e ditur tutje në njoftim.
KËTU mund të kaloni te sistemi i termineve dhe lista e regjistrimit.
“Regjistrimet e personave, të cilët nuk marrin termin, fshihen në fund të muajit. Për pjesëmarrje në procedurën e shortit për termine në shkurt/fillim të marsit, është i nevojshëm një regjistrim i ri në janar. Ambasada do të njoftojë me kohë për periudhën e hapjes së listës së regjistrimit për janar. Në fund të janarit, personat e përzgjedhur me short do të marrin njoftimin nga ambasada për ditën kur iu caktohet termini në shkurt/fillim të marsit.”, ka njoftuar tutje Ambasada./21Media

Back to top button