Nga televisori i parë te epoka digjitale, 100 Vjet televizion

Emri John Logie Baird sot është i pandashëm nga historia e televizionit.

Ai ishte biznesmen, por mbi të gjitha shpikës. Më 26 janar 1926 ai realizoi demonstrimin e parë publik të asaj që do të njihej si televizori  i parë, në laboratorin e tij në Soho, në rrugën Frith në Londër.

Në një ekspozitë që festonte 40 vjet televizion në vitin 1976, shpikja revolucionare e Baird zinte një vend nderi.

Ndryshe nga sistemet elektronike që do të vinin më pas, Televisori i Baird ishte mekanik.

Lewis Pollard, Kurator i Televizionit dhe Transmetimit në Muzeun e Shkencës dhe Medias në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se ishte një arritje e madhe, por jashtëzakonisht e vështirë për t’u përdorur.

Ai shprehet:

“Ishte shumë teknik, shumë i ndërlikuar dhe duke qenë se Baird ishte pionier, ai duhej të ndërtonte shumicën e pajisjeve vetë ose të përdorte çfarëdo që kishte në laborator. Pajisja që kemi sot në muze përmban pjesë nga një kuti kapeleje, një llampë biçiklete  ishte shumë ‘bëje vetë’, sepse nuk mund të shkoje në dyqan dhe të blije pjesët e nevojshme, pasi televizioni ende nuk ekzistonte.”

BBC nisi shërbimin e parë televiziv të rregullt në botë në vitin 1936 në Mbretërinë e Bashkuar, përcjell rtv21

Pollard thotë se përparimet e mëdha teknike gjatë Luftës së Dytë Botërore e transformuan televizionin  për shembull radari, i cili mundësonte transmetimin e sinjaleve në distanca të gjata.

Kurorëzimi i Mbretëreshës Elizabeth II ishte i pari që u transmetua në mbarë botën. Njerëzit u mblodhën rreth pak televizorëve që ekzistonin në komunitetet e tyre për të ndjekur këtë ngjarje historike.

“Çdo kamerë televizive në Mbretërinë e Bashkuar që mund të mobilizohej, u mobilizua për kurorëzimin. Ishte një ngjarje mediatike shumë e madhe dhe për këtë arsye kaq shumë njerëz e mbajnë mend. Ne flasim për miliona shikues, por ajo që ndoshta nuk dihet është se televizorët në vitet 1950 ishin më të mëdhenj se Televisorët e Baird, por ende shumë të vegjël. Sipas të dhënave, rreth 17 persona shikonin një televizor të vetëm. Për njerëzit në shtëpi, ishte një moment kaq i madh sa ndihmoi në vendosjen e televizionit si pjesë e jetës së përditshme. Nga një risi, televizori u kthye në diçka që njerëzit donin ta kishin në shtëpinë e tyre,” thotë Pollard.

Në vitin 1938, Logie Baird iu drejtua audiencës së British Movietone në Australi:

“Janë bërë tashmë 12 vjet që kur prodhova imazhin e parë të vogël dhe të dridhshëm televiziv. Sot në Londër kemi një shërbim të rregullt televiziv dy herë në ditë me mijëra shikues. Televizioni është rritur nga një risi shkencore në një shërbim komercial. Aktualisht, rrezja e transmetimit është e kufizuar në 30 milje rreth Londrës. Megjithatë, që në vitin 1928, unë kalova Oqeanin Atlantik me televizor. Ishte eksperimentale, por kush mund ta parashikojë të ardhmen?”

Kush me të vërtetë… Një shekull pas atyre imazheve të para të dridhshme, kanalet televizive janë të shumta dhe mediumi ka hyrë në epokën digjitale, ku platformat e transmetimit online tani konkurrojnë me Hollywood-in për buxhete dhe audiencë./21Media

Back to top button