Ngjarja për mbledhjen e fondeve “Count Me In for Mothers and Children” organizuar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë lansohet në Londër

Në shënimin e dhjetë vjetëve të arritjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) është e lumtur të lansoj ngjarjen për mbledhjen e fondeve “Count Me In for Mothers and Children”. Ngjarja ekskluzive do të mbahet më 9 shkurt duke filluar nga ora 19:30 në The Clermont London, Charing Cross, duke shënuar herën e parë që kjo nismë po zhvillohet në zemër të Londrës.
Gjatë dhjetë viteve të fundit, nismat e AMC kanë qenë tejet të suksesshme. Përmes këtyre nismave, AMC ka shpëtuar më shumë se 5,000 jetë të porsalindurve duke përdorur medikamentin Surfaktant dhe CPAP, ndërsa ka ofruar gjithashtu PAP teste falas përmes Programit të Programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës për rreth 14,000 gra dhe vajza. Krahas këtyre përpjekjeve për shpëtimin e jetës, AMC ka dhuruar pajisje mjekësore me vlerë 3 milionë euro dhe ka krijuar 18 Qendra Burimore të Shëndetit të Grave për të mbështetur nënat me burime jetike.
Eventi për mbledhjen e fondeve “Count Me In for Mothers and Children” synon të vazhdojë këtë trashëgimi të ndryshimit pozitiv. Fondet e mbledhura gjatë ngjarjes do të mbështesin projektet e vazhdueshme të AMC të dizajnuara për të përmirësuar shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke synuar një ndikim të qëndrueshëm në kujdesin shëndetësor në vend.
Ngjarja do të përfshijë muzikë live nga grupi i mirënjohur nga Kosova Don’t Listen to Your Neighbors, një darkë të këndshme dhe fjalime frymëzuese që nxjerrin në pah rrugëtimin dhe përpjekjet kolektive të AMC.
Bashkë-organizatoret e kësaj ngarje janë Nora Weller dhe Eranda Kabashi Kapiti, të cilat do të sjellin pasionin dhe angazhimin e tyre për kauzën.
AMC ju bën ftesë për t’u bashkuar më 9 shkurt në këtë ngjarje të jashtëzakonshme. Mbështetja juaj shkon përtej një donacioni; është një investim në një të ardhme ku shëndetësia në Kosovë arrin suksese të reja.
Së bashku, me mbështetjen e donatorëve bujarë dhe individëve të përkushtuar, AMC synon të vazhdojë të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke formuar një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Për informacione dhe pyetje për biletat, ju lutemi vizitoni linkun: Count Me In ose kontaktoni AMC-në përmes info@amchealth.org
