Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

(Lajm i përditësuar)
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën ka konfirmuar se është ngritur aktakuzë ndaj të përfshirëve në vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si doras, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale. Të tre të dyshuarit janë në paraburgim. Në akuzë është përfshirë edhe një i dyshuar i katërt, i cili nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në rast.
Prokurorja e çështjes, Javorka Perlinçeviq, ka thënë se e vetmja gjë që ka vonuar në ngritjen e aktakuzës ka qenë zbulimi i motivit që e ka shtyrë Naim Murselin ta planifikojë vrasjen e bashkëshortes. Ajo bëri të ditur se kanë kërkuar përgjigje nga shteti i Suedisë, aty ku ka jetuar çifti më herët.
“Për detajet e aktakuzës nuk mund të flasim. Çka ka munguar është motivi që e ka shtyrë Naim Murselin ta vrasë Liridona Ademajn. Kemi shfrytëzuar ndihmën ndërkombëtare nga Mbretëria e Suedisë dhe për këtë arsye organeve të Suedisë i jemi drejtuar të na dërgojë të dhëna për jetën e tyre familjare. Kemi marrë përgjigje në pyetjet që kemi dërguar atje dhe atëherë kemi mundur të kemi pasqyrën e plotë të ngjarjes. Përderisa kanë jetuar në Suedi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara dhe kanë pasur çështje edhe financiare. Për të gjithë emrat e të pandehurve në këtë lëndë e dimë se kush janë. Keni dëgjuar emrin e njërit që i ka planifikuar të gjitha e ai është Naim Murseli…”, ka thënë Perlinçeviq pa dhënë detaje të tjera.
Prokurorja ka thënë se do të kërkojë dënim maksimal për kryerësit e kësaj vepre. Ndërkaq rasti i vrasjes së 39-vjeçares fillimisht u raportua nga Policia si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Gashi për rastin e Ademajt: Kemi grumbulluar prova, do të jenë të qasshme në seancat gjyqësore
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, në konferencën e mbajtur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt ka folur për të rejat rreth hetimit të vrasjes.
“Siç e dini ky rast fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve, prokurores, bashkëpunim të të gjithëve brenda një afati, shumë ishte e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar edhe ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë”, ka thënë Gashi në konferencë për media, njofton rtv21.tv
Gashi tregoi se dy hetuesit Nazim Haliti dhe Ibrahim Sahiti në kordinim me prokurorin e rastit kanë kryer hetime dhe kanë grumbulluar prova.
“Patjetër se pyetjet tuaja në përgjigjet ne që kemi dhënë kanë me qenë të kufizuara pasi që në këtë fazë të ngritjes së aktakuzës, mirëpo patjetër se meqenëse seanca apo shqyrtimi gjyqësor ka me qenë i hapur për publikun, patjetër se të gjithë ju keni me marrë pjesë dhe të gjitha provat që ne kemi arritë t’i grumbullojmë, gjatë administrimit të tyre, patjetër që ju si publik, si gazetarë, si qytetarë të Republikës së Kosovës do të keni qasje në seancën gjyqësore”, tha Gashi. /21Media