Ngrihet padi kundër ligjit për abortin në Teksas

 
Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti padi civile kundër ligjit të diskutueshëm për abortin në shtetin e Teksasit.
“Akti është qartazi antikushtetues”, tha prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland, në një konferencë për media.
Abortet u bënë të ligjshme në të gjithë SHBA-në qysh në vitin 1973.
Ligji i ri në Teksas e ndalon abortin nga java e gjashtë e shtatzënisë dhe lejon këdo që t’i padisë ata që përfshihen në procedurë.
Mjekët dhe grupet e të drejtave të grave e dënuan ashpër masën, e cila hyri në fuqi javën e kaluar, pasi Gjykata Supreme nuk e bllokoi atë.
Garland tha se “plani për të shfuqizuar Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara është një gjë që të gjithë amerikanët – pavarësisht nga politika apo partia e tyre – duhet t’i frikësohen”.
Në fillim të kësaj jave, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se do t’i mbrojë klinikat e Teksasit që kryejnë aborte.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, e mbrojti ligjin, duke u zotuar se shteti i tij “do ta mbështesë gjithmonë të drejtën për jetë”.

Back to top button