Ngritet aktakuzë ndaj ministres Rozeta Hajdari

Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për mosdeklarim të pasurisë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Mund t’iu konfirmojmë se prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13.10.2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila aktakuzë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, ka thënë Ulaj.
Në mars të këtij viti, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) kishte dorëzuar kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button