“Ngritja e çmimeve” arsyeja pse Kurti nuk shkoi sot në Antali
Qeveria e Kosovës ka treguar arsyen pse kryeministri, Albin Kurti nuk mori pjesë sot në Forumin e Diplomacisë në Antali të Turqisë.
Sipas saj, Kurtit i doli punë me situatën e krijuar nga ngritja e çmimeve të produkteve esenciale dhe marrjes së masave.
“Ai kishte anuluar pjesëmarrjen në ditën e parë dhe hapëse të Forumit të Diplomacisë në Antali të Turqisë. Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar që të merrte pjesë në hapjen e Forumit krahas krerëve të shteteve të ndryshme të botës, të realizonte disa takime bilaterale dhe të merrte pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Arsyeja e anulimit të pjesëmarrjen për ditën e parë ishte situata e krijuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazike dhe nevojës për marrjen e masave nga qeveria”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas këtij njoftimi Kurti do të merr pjesë në ditën e dytë të Forumit të Diplomacisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të marrë pjesë vetëm në ditën e fundit të Forumit, të shtunën me datë 12 mars, ku do të jetë githashtu pjesë e panelit të diskutimit me temë “Përfaqësimi i Ndryshimit””, thuhet tutje.
Ndërkaq, sot në mëngjes ai bashkë me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock mori pjesë në inaugurimin e parkut të ri të erës në Selac dhe Bajgorë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”./21Media