Nis afati ligjor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të enjten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre “është manipuluar rezultati i zgjedhjeve” dhe se duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore sa i përket pretendimeve të tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja.

Ankesat e LVV-së për manipulim të votave me postë nga ana e LDK-së janë rrëzuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) si dhe Gjykata Supreme.

Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, Lista Serbe 4.26 për qind.

Ky rezultat ia siguron Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës, PDK-së 24 deputetë, LDK-së 20 deputetë, koalicionit AAK-Nisma 8 deputetë si dhe komunitet jo shumicë 20 deputetë.

Para certifikimit të rezultateve, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili ka garuar në listën për kandidatë për deputet të PDK-së, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetar i Lipjanit, Imri Ahmeti të cilët kanë kandiduar në listën e LDK-së kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.

Ata u zëvendësuan nga Rashit Qalaj-PDK, si dhe Arben Gashi e Paris Guri nga LDK.

E akuza për procesin zgjedhor adresoi anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi.

Ai tha se procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka qenë i dështuar dhe se ka pasur probleme të mëdha KQZ-ja.

Kurteshi duke arsyetuar mos votimin e certifikimit të rezultateve të 9 shkurtit, tha se zgjedhjet janë të manipuluara, duke aluduar në votat me postë të LDK-së. Ai tha se për këtë çështje do të dorëzojnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese, pas rrëzimit të pretendimeve të tyre nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme.

“S’kemi pasur një proces të suksesshëm, por një proces të dështuar. Ne kemi probleme si KQZ. Këtë herë që nga dita e parë e shpalljes së rezultateve preliminare KQZ-ja ka dështuar dhe këtë duhet pranuar për arsye të ndryshme. Nga krejt reagimet po e shihni se s’ka qenë bash një proces paqësor dhe i qetë…Prandaj unë nuk mundem me ngritë dorën për certifikim të rezultateve për të cilat unë mendoj se janë të manipuluara dhe dy shkallët e gjykatave nuk janë marrë me trajtimin e fakteve dhe dëshmimeve”, tha Kurteshi.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi tha se procesi zgjedhor i 9 shkurtit ka pasur shumë sfida si rezultat i reformës zgjedhore. Ai shtoi se kurdo që mbahen sërish zgjedhjet probleme të njëjta do të kenë sërish në votimin nga diaspora.

“Ne kemi pasur një proces zgjedhor i cili s’ka qenë i lehtë si proces zgjedhor për arsye të shumta. Qoftë të dala nga ndryshimet ligjore të reformës zgjedhore, apo ndryshimet e brendshme. Këto kanë bërë që të zgjatet më shumë sesa duhet shpallja dhe certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ne duhet të adresojmë të gjitha çështjet, qoftë çështjet tona të brendshme, por edhe adresimin e çështjeve që kanë dalë nga ndryshimet e mundshme ligjore. Kjo do t’i shërbente edhe organizimit të zgjedhjeve lokale. Sa i përket votimit nga jashtë vendit kjo është baza ligjore dhe për fatin tonë të keq kurdo që mbahen zgjedhjet probleme të njëjta kanë me u paraqitë njëjtë përderisa kemi këtë ligj”, theksoi Gashi.

Por, Alban Krasniqi nga LVV-ja tha se ky proces zgjedhor “ka lënë shenja të këqija që rrezikojnë demokracinë nëse nuk ndëshkohen nga organet e drejtësisë”.

“Shenjat e këqija që i ka lënë ky proces dhe rreziku që këto të kalojnë pa e marr rrugën e organeve të drejtësisë përbënë rrezik për demokracinë. Deformimi i rezultatit që vjen prej hezitimit apo refuzimit qoftë të PZAP-së apo Supremes kur faktet kanë qenë të renditura për aq sa lejojnë aspekti ligjor dhe procedurat administrative përbënë për mua një thirrje të hapur që këto dy institucione i kanë bërë shkelësve të ligjit në të ardhmen që të vazhdojnë me manipulim të procesit se e kanë mbështetjen e tyre”, deklaroi Krasniqi.

Paraprakisht, në mbledhjen e sotme të KQZ-së u zhvillua debat në lidhje me certifikimit e kandidatëve që kanë fituar postin e deputetit që kanë dhënë dorëheqje, si dhe në anën tjetër, të tjerë që s’janë dorëhequr ende nga postet tjera të tyre, në Qeveri dhe komuna.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, kërkoi që të vazhdohet me listat aktuale dhe ata që marrin mandatin më pas të zëvendësohen.

Mirëpo, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se praktikë e njëjtë ka pasur edhe më herët ky institucion, ku ata që kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit janë zëvendësuar nga të radhës para certifikimit të rezultateve”.

“Praktik e njëjtë se para certifikimit është bërë tërheqja e kandidatit dhe është zëvendësuar dhe pastaj është certifikuar me të zëvendësuarin. E dyta është se tërheqjen e kandidaturave tre kandidatë e kanë bërë para certifikimit dhe pas shpalljes. Ne kemi marrë vendim për shpallje të rezultatit dhe tash zëvendësimi bëhet me atë shpallje dhe rrjedhimisht certifikohet”, tha ai.

Në anën tjetër, Ilir Gashi nga PDK-ja tha se sipas ligjeve në fuqi disa kategori institucionale si anëtarët e qeverisë duhet paraprakisht të japin dorëheqje para certifikimit të rezultateve.

“Sipas ligjeve në fuqi janë disa kategori institucionale që do të duheshin paraprakisht të japin dorëheqje për me u certifikuar dhe me marrë pozitën e deputetit. Në këtë rast kemi të bëjmë me ekzekutivin lokal dhe atë qendror. Ligji thotë se nuk mund të certifikohen pa u deklarua paraprakisht për pozicionin ata dëshirojnë të mbajnë. Në këtë rast kemi disa shkresa që janë deklaruar se cilin pozicion dëshirojnë ta mbajnë, prandaj ne nuk mund të respektojmë këtë dispozitë ligjore”, tha ai.

Por me një gjë të tillë nuk u pajtua Kurteshi nga LVV-ja, i cili madje kritikoi KQZ-në në njoftimin e saj për certifikimin e zgjedhjeve pasi nuk është thirrur në nenet që duhet të citohen.

“Njoftimi është interesant pasi bazohet në një nen në mënyrë selektive të Ligjit për Qeverinë, neni 26 i cili s’ka të bëjë. Ai ka të bëjë me kodin e mirësjelljes së anëtarëve të qeverisë, por nuk është thirrur në nenet që duhet të citohet. Ato janë kreu i ligjit, kapitulli i tetë, neni 28,29, 30 dhe 31 të cilët tregojnë se kur përfundon mandati, si përfundon mandati i qeverisë dhe anëtarëve të qeverisë. Aty thotë se mandati i qeverisë përfundon nëse nuk e bën betimin. Jep dorëheqje, zgjidhet deputet i kuvendit apo përfundon mandati i rregullt i qeverisë… Janë këto tri elemente që e detyrojnë këtë qeveri me ushtruar funksionin deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Po llogarisim teorikisht ata japin sot dorëheqje dhe tërhiqen krejt cila është situata dhe pasojat. S’ka përgjigje. Norma që shkruhet dhe s’ka përgjigje është normë absurde”, tha ai.

Në debat u përfshi edhe kryetari Radoniqi, i cili tha se Ligji për Qeverinë nuk i jep asnjë obligim KQZ-së, pasi dorëheqja apo jo e anëtarëve të qeverisë para certifikimit të rezultateve nuk është punë e tyre.

“Neni 26 i Ligjit për qeverinë as një obligim neve nuk na jep përveç njoftimit për ditën e certifikimit. Aq. Aty përfundon. A japin dorëheqje apo jo kjo çështje nuk është fare e KQZ-së…Në lidhje me këto zëvendësime pse duhet me u zëvendësuar është se ne kemi marrë një vendim për shpallje të rezultatit dhe në atë vendim dhe lista figurojnë tre persona të cilët ndërkohë kanë dhënë dorëheqje dhe kanë thënë se nuk donë të certifikohen. Atë jemi duke e bërë, jemi duke zëvendësuar me persona të radhës dhe certifikojmë rezultatin me këta tre personat e rinj”, theksoi ai.

Pas certifikimit të zgjedhjeve tani nis rrjedha e afateve ligjore për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo në afat prej 30 ditëve prej certifikimit të rezultateve mund të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit për dhënien e betimit të deputetëve

Back to top button