Instituti Komëbtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në bashkëpunim me OBSH-në për herë të parë ka filluar zbatimin e studimit “Hulumtimi seroepidemiologjik bazuar në popullatë” i shtresuar sipas moshës, për infeksionin me SARS CoV-2.

Ministria e Shëndetësisë, bëri ditur se hulumtimi bëhet me qëllim të hulumtimit të shkallës së infeksionit me SARS CoV-2.

“Ky hulumtim bëhet me qëllim të hulumtimit të shkallës së infeksionit me SARS CoV-2 që përcaktohet nga seropozitiviteti i popullatës së përgjithshme në Kosovë. Hulumtimi bëhet sipas protokollit të standardizuar të zhvilluar nga OBSH, i cili mundëson që të dhënat e ekspozimit epidemiologjik dhe mostrat biologjike të mblidhen sistematikisht dhe të vlerësohet shkalla e ashpërsisë dhe sulmit. Hulumtimi po ashtu shërben për orientim mbi situatën e shëndetit publik dhe politikat e vendimmarrjes”, thuhet nga MSH-ja.

Sipas MSH-së ky studim sero-epidemiologjik ka për qëllim këto objektiva:

1. Të matet seroprevalenca e antitrupave të COVID-19 në popullatën e përgjithshme sipas gjinisë dhe grupmoshës, në mënyrë që të përcaktohet imuniteti kumulativ i popullatës.

2. Të vlerësohet raporti i infeksioneve asimptomatike, para-simptomatike ose subklinike në popullatë dhe në raport me moshën dhe gjininë.

3. Të matet pozitiviteti aktual te popullata e zgjedhur rastësisht.

“Hulumtimi do te bëhet në nivel vendi i shtresuar sipas grupmoshës dhe gjinisë. Posa të përfundojë marrja e mostrave në terren do të kemi rezultatet preliminare dhe tutje ato përfundimtare që do na pasqyrojnë gjendjen e përhapjes së COVID- 19 në popullatën e Kosovës”, thuhet në njofitmin e IKSHPK-së./21Media