Nis konferenca e Sigurisë në Gjermani, pjesëmarrës edhe Thaçi e Vuçiq

Edhe Hahni e Mogherini, pjesë e konferencës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka udhëtuar në Gjermani ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë, e cila po mbahet në Munchen.

Konferenca e Sigurisë që zhvillohet në Munchen, është një nga më të rëndësishmet dhe më të mëdhatë në botë, në konferencat e kësaj natyre. Në të takohen rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish dhe 100 ministra, mes tyre kancelarja gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov.

Në këtë konferencë shpaloset raporti i ashtuquajtur “Raport i Sigurisë së Munichen”, që flet në 100 faqe për temat dhe rëndësinë e tyre para këshillimeve për gjendjen në të cilën gjendet bota.

Në një panel të veçantë, Presidenti Thaçi bashkë me Komisionarin Evropian për Negociata, Johannes Hahn, si dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit dhe dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi në Munchen do të zhvillojë takime të shumta edhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme, me përfaqësues të BE-së, NATO-s dhe me miq të Kosovës, që kanë mbështetur lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin në Kosovë, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Kjo konferencë fillon sot dhe zgjatë deri më 17 Shkurt. /21Media 

 

Back to top button