Nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, rezultatet e para

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar publikimin e rezultateve të para nga votimi me kusht.

Deri tash janë procesuar votat nga një vendvotim, teksa gjithsej janë 57.

Sipas KQZ’së, nga ky vendvotim VV ka 64.71%, PDK 28.24%, LDK 5.88%.

Nga kandidatët, Albin Kurti ka 50, Bedri Hamza 19, Lumir Abdixhiku 2.

Ka filluar edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta, por deri tash s’ka rezultate të procesuara. Vota me kusht janë regjistuar 9,990, ndërsa të personave me nevoja të veçanta 2,860 sosh.

“Mund t’iu konfirmoj se sonte (e hënë, 5 janar 2026, ora 20:00) në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht, ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2,860”, ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ’së., Valmir Elezi.

“Në ndërkohë, në QNR është duke u bërë vlerësimi dhe verifikimi i pakove me fletëvotime nga tërheqjet e realizuara më 2 janar nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, Neë York, Kanbera dhe Kopenhagë, nga ku janë tërhequr 8,180 pako të tjera me fletëvotime, të cilat gjatë ditës së hënë, më 5 janar, janë sjellur në Kosovë. Pas vlerësimit dhe verifikimit, KQZ do të numëroj fletëvotimet e aprovuara. Gjithashtu, KQZ ka përmbyllur procesin e tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës. Më 5 janar, nga 13 kutitë postare, në: Tiranë, Berlin, Vjenë, Bernë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë, janë tërhequr 11,867 pako me fletëvotime, të cilat, pasi të arrijnë në Kosovë do t’i nënshtrohen procedurave të njëjta, para numërimit”, ka thënë Elezi.

Back to top button