Nisi fushata “SOS Mik”
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, sot kanë nisur fushatën “SOS Mik”, me ç’rast e kanë vizituar SOS Fshatin e Fëmijëve në Prishtinë.
Siç ka informuar Shoqata, fushata “SOS Mik” ka për qëllim mbledhjen e fondeve përmes anëtarëve të Shoqatës së Gastronomëve, ku secili anëtar kontribuon për një periudhë të caktuar me një shumë simbolike duke kontribuar kështu në misionin e përbashkët që asnjë fëmijë të mos rritet i vetëm dhe në të njëjtën kohë të bëhet Mik i SOS Fshatrave të Fëmijëve.
“Në mënyrë që ti përkrahim sa më shumë të gjithë këta të rinjë e fëmijë, jo vetëm gastronomët por të gjithë të interesuarit, mund të ofrojnë ndihmë me anë të formave të ndryshme, por mund të kontribojnë edhe financiarisht drejtëpërdrejtë në xhirollogarinë e përfituesit me të dhënat: SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, në Procredit Bank me nr: 1182000646000186.”, ka bërë të ditur Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
SOS Fshatrat e Fëmijëve është organizatë joqeveritare që ofron kujdes dhe përkrahje për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe në rrezik të braktisjes. SOS Fshatrat e Fëmijëve veprojnë që nga viti 1999 dhe deri më tani kanë ofruar kujdes dhe përkrahje përmes formave të ndryshme për mbi 2,500 fëmijë dhe të rijnë. Aktualisht në SOS Fshatrat e Fëmijëve jetojnë 34 fëmijë pa përkudesje prindërore nga 0 deri në 18 vjeç dhe 11 të rinjë mbi 18 vjeç si dhe përkrahin mbi 600 fëmijë dhe të rinjë në rrezik të braktisjes./21Media


