Nisi numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat janë vendosur në ditën e zgjedhjeve në vendvotimet e dyfishta, por edhe në adresa të ndryshme jashtë vendvotimeve. Kështu ka informuar sonte zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se janë rreth 31 mijë e 500 vota me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 vota të personave me nevoja të veçanta, të cilat u takojnë komunave të ndryshme dhe që do të numërohen në QNR.
Elezi është shprehur se pas numërimit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, do të fillojnë edhe me numërimin e fletëvotimeve të cilat kanë ardhur përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt.
“Pas përfundimit të premten në mesnatë të rinumërimit të 552 vendvotimeve, numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon fazën përfundimtare para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt.”, ka shtuar zëdhënësi i KQZ-së.
Sipas të dhënave, numri më i madh i fletëvotimeve me kusht, pra me numër katërshifror, u takojnë komunave: Prishtinë 7 520; Prizren 2 953; Fushë Kosovë 1 562; Suharekë 1 538; Mitrovicë e Jugut 1 528 dhe Gjakovë 1 521./21Media