​Nisin punimet në rrugën Vojnoc-Tërrn të Shtimes, projekti do të përfundojë në fillim të tetorit

Kanë filluar punimet e rrugës “Ibrahim Shabani” në Vojnoc të Shtimes, dy kilometra e gjatë, investim ky i Ministrisë se Mjedisit në vlerë 420 mijë euro, përmes së cilës do të ndihmohen qytetarët që të lidhen më lehtë me Lipjanin, Shtimen dhe Ferizajn.

Kryetari i Shtimes Qemajl Aliu tha se rregullimi i kësaj rruge ka qenë kërkesë e banorëve të kësaj ane tash e sa kohë dhe se punimet do të përfundojnë në fillim të muajit tetor.

“Fshati Vojnoc, hir së vërtetës në të kaluarën nuk ka qenë shumë i respektuar në aspektin e investimeve. Edhe unë e kam kënaqësinë dhe jam i hapur me qenë para miqve të mi, para bashkëvendësve të mi për të përuruar fillimin e një investimi tjetër të radhës, një rrugë ku është investuar menjëherë pas luftës dhe nuk është mirëmbajtur asnjëherë në një rrugë të demoluar. Ka qenë kërkesë e banorëve të fshatit Vojnoc, po edhe fshatrave përreth. Të mos harrojmë, kjo rrugë e lidh qytetin e Lipjanit, Shtimes dhe Ferizajt, përkatësisht fshatin Grackë, Vojnoc dhe fshatin Tërrn. Projekti kushton diku 420 mijë euro, mbi dy kilometra rrugë. Sipas operatorit kjo rrugë mund të përfundojë diku nga fillimi i tetorit”, tha Aliu.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se banorët e Shtimes meritojnë të kenë një infrastrukturë moderne.

“Unë jam shumë falënderues dhe i gëzuar që jena sot bashkë këtu në Vojnoc, kur po bëhet rivitalizimi i segmentit Vojnovc në kuadër të rrugës Ibrahim Shabani, në të cilën nuk ka pasur investime për rivitalizim, prej se është ndërtuar dy dekada më parë. Investimi është i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës… është e drejtë e juaja dhe e meritoni të keni infrastrukturë që e rrit edhe mirëqenien, edhe e mban lart dinjitetin e këtij fshati që i ka dhënë punë dhe sakrificë shtetit tonë, e pikërisht emrin e dëshmorit e mban edhe rruga – Ibrahim Shabani”, tha Kurti. /kp

Back to top button