Nisin punimet për ndërtimin e rrugës Dragash-Shishtavec

Ka filluar ndërtimi i rrugës Dragash-Shishtavec, e cila do të lehtësojë qarkullimin e banorëve të disa fshatrave të Kosovës dhe Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi të shtunën se kjo rrugë ka rëndësi të veçantë, derisa e quajti edhe shlyerje të borxhit ndaj qytetarëve të asaj ane.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar se duhet t’iu  sigurojnë banorëve kushte më të mira dhe komunikim më të lehtë.

“Është një rrugë, e cila është të themi një lloj shlyerje e borxhit tonë për këto pjesë, sepse duhet t’iu sigurojmë kushte që të lidhen të gjitha këto fshatra në të cilat jetojnë goranët, boshnjakët në këtë pjesë dhe po ashtu në pjesën e Shqipërisë, të kenë komunikim më të lehtë të kenë lidhje më të mira dhe të mos jetë ndër investimet e fundit, por të bëjmë  edhe investime të tjera që kemi kërkesa të bëjmë edhe me rrugë që na lidhin me Maqedoninë, në këtë pjesë në mënyrë që infrastruktura të jetë pastaj si një parakusht I zhvillimit ekonomik, i zhvillimit arsimor, zhvillimit social dhe integrimeve tona dhe ndërtimit të përbashkët të shtetit të Kosovës”, tha Mustafa.

Ndërsa ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku tha se ky nuk është projekti i vetëm për komunën e Dragashit, pasi janë duke punuar edhe në disa projekte të reja.

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi, ndërtimin e kësaj rrugë e ka vlerësuar të një rëndësie të veçantë, meqë sipas tij, mundëson qytetarët të kenë lidhje më të mirë, madje edhe miqësore.

Rruga Dragash – Shishtavec do të ketë një gjatësi prej 1400 metrash, gjerësi prej 6 metrash, ndërsa kosto e këtij projekti është 200,000 euro. Sipas planit dinamik, punimet parashihet të përfundojnë brenda 55 ditë pune./21Media

Back to top button