Një 69-vjeçar gjendet i vdekur në oborrin e shtëpisë në Gjilan

Një 69-vjeçar është gjetur i vdekur në oborrin e shtëpisë në Gjilan pasditen e së martës. Sipas policisë, dyshohet se personi në fjalë ka kryer vetëvrasje.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Sipas tij rasti ka ndodhur rreth orës 15:00 dhe me urdhër të Prokurorit të Shteti trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Me datën 11.02.2025, rreth orës 15:05, kemi pranuar informacionin se në qytetin e Gjilanit në oborrin e një shtëpie ishte një person i shtrirë në tokë. Pas daljes në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se bëhet fjalë për një person mashkull kosovar i vitit të lindjes 1956 i cili dyshohet se kishte kryer vetëvrasje. Afër trupit të viktimës është gjetur një armë zjarri dhe një gëzhojë me të cilën dyshohet se personi të ketë kryer aktin. Nga mjeku kujdestar në vendngjarje është konstatuar se viktima është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan së bashku me Prokurorin e Shtetit të cilët janë duke punuar në ndriçim dhe sqarim të rrethanave të rastit. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, tha Osmani. /21Media