​Një delegacion i BE-së vizitoi KEK-un

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut Gramos Hashani, kryesuesi i bordit të drejtorëve, Valdrin Krasniqi pritën sot në takim një delegacion të Bashkimit Evropian të udhëhequr nga Riho Terras, raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Kosovën.

Gjatë takimit, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut paraqiti një pasqyrë të detajuar mbi operimet në minierë dhe termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe projektet madhore për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit DeNOx në njësitë B1 dhe B2, duke siguruar avancimin drejt standardeve mjedisore të BE-së.

Në vijim, delegacioni u njoftua edhe me projektet e tranzicionit energjetik, përfshirë Parkun Solar Solar4Kosovo I Photovoltaic, një nga iniciativat më të mëdha të energjisë së ripërtërirë në Kosovë, që shënon hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve dhe reduktimit të varësisë nga kapacitetet termike.

KEK theksoi gjithashtu sfidat financiare me të cilat përballet korporata për shkak të çmimit shumë të ulët të shitjes së energjisë elektrike (29.5 euro/MWh), duke potencuar se zbatimi i të gjitha projekteve strategjike kërkon mbështetje shtesë nga partnerët ndërkombëtarë dhe donatorët zhvillimorë.

Në këtë kuadër, KEK ka dorëzuar përmes Ministrisë së Ekonomisë një sërë propozimesh për projekte strategjike në kuadër të programit IPA 2025–2027.

Në përfundim të vizitës, të dyja palët vlerësuan se bashkëpunimi ndërmjet KEK-ut dhe institucioneve të Bashkimit Evropian është duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe mbetet thelbësor modernizimi i sektorit të energjisë konform praktikave më të mira evropiane.

Back to top button