Kosova prezantohet në Kanada – interesim i madh për minierat e Kosovës

Gashi  theksoi se tregu kosovar posaçërisht ai i fushës së minierave dhe mineraleve është i hapur për botën

Një delegacion i lartë i qeverisë së Republikës së Kosovës, kryesuar nga  Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,  Dardan Gashi, po qëndron në një vizitë në Toronto të Kanadasë për të prezantuar resurset minerare të Kosovës në konventën më të madhe të Minierave në botë, PDAC 2018.

Gashi, shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava dhe zyrtarët më të lartë të KPMM-së, në ditën e parë të kësaj konvente kanë mbajtur një prezantim para më shumë se 10 kompani të mëdha, shumica ga Kanadaja, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për investim në sektorin minerar të Kosovës.

Në fjalimin e tij hyrës, Gashi ka theksuar reformën ligjore në fushën e investimeve strategjike që institucionet e Kosovës janë duke e bërë, për të krijuar klimë sa më të favorshme për investitorët e jashtëm.

“Në kemi një ligj të avancuar për investime strategjike, ligj i cili mbron investitorin e jashtëm i tëri në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian”, theksoi Gashi, duke përmendur edhe aplikacionin e parë të një kompanie për tu kualifikuar si investitor strategjik me një investim prej rreth 130 milion EUR në fushën e energjisë së ripërtrishme.

Gashi po ashtu theksoi se tregu Kosovar, posaçërisht ai i fushës së minierave dhe mineraleve është i hapur për botën, dhe “presim me padurim ofertat tuaja ashtu që të përfaqësoni vetëm jo vetëm si investitorë, por edhe partner në zhvillimin e mëtejm të shtetit tonë”, thuhet në njoftimin e dërguar nga Ministria e Diasporës.

Gjatë kësaj seancë, Ministri Lluka, prezantoi mundësitë për investime në zonat e veçanta të interesi si Vllahi, Gumnishtë, Karaçë, Baks, Bresalc, Zhegovcë e Deve, ndërsa ekspertët e KPMM-së, përkatësisht Azem Rexha, anëtar i bordit të KPMM-së, në hollësi tregoi për detajet e mundësive të eksploatimit të minierave që gjenden të këto zona të interesit.

“Kosova posedon rezervat më të mëdha të linjitit, plumbit dhe zinkut në Evropë. Ju inkurajojmë që të vini të investoni në Kosovë, dhe ju garantojmë se zyra ime, dhe e kolegëve të mi do të jetë gjithmonë e hapur për çfarëdo shqetësimi që mund ta keni. Investimi juaj është i garantuar”, përmbylli fjalën e tij Gashi.

Në seancën për Kosovën, të pranishme ishin kompani edhe nga Kina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Republika Demokratike e Kongos.

Në ditët në vazhdim, Gashi do të ketë takime të nivelit të lartë shtetëror të Ontarios, komunitetin e bizneseve si shqiptar në Kanada por edhe atë Kanadez të interesuar për mundësi të investimeve në Kosovë./21Media

Back to top button