Një grua humb jetën si pasojë e një aksidenti në Drenas
Një grua ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti ndodhi mbrëmjen e së enjtes, ku thuhet se drejtuesi i mjetit nuk u ishte përshtatur kushteve të shpejtësisë dhe si pasojë kishte humbur kontrollin e veturës dhe kishte përfunduar në një kanal.
Nga ky aksident lëndime kanë pësuar edhe tre persona të tjerë, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar si pasojë e mospërshtatjes se shpejtësisë me kushtet e rrugës, humb kontrollin mbi veturën del jashtë rruge dhe përfundon në një kanal. Si pasojë, drejtuesi dhe katër pasagjerë (tre femra dhe një mashkull kosovarë) kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK ku njëra nga pasagjeret si pasojë e lëndimeve ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë dërgohet ne IML për obduksion”, thuhet në raport./21Media