Një i plagosur nga gjuajtja me armë zjarri në Prizren, i dyshuari paraqitet në stacionin policor

Një 29 vjeçar është plagosur nga gjuajtja me armë zjarri mbrëmjen e sotme në rrugën “Ismet Jashari” në Prizren.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka thënë se të shtunën rreth orës 18:00 e kanë pranuar informacionin për të shtëna me armë zjarri.

Për gjendjen shëndetësore të viktimës ai tha se gjendja e tij është stabile.

“Policia më datë 30.08.2025, rreth orës 18:00, ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në rrugën “Ismet Jashari”, në Prizren. Rreth orës 18:12, nga Emergjenca e Spitalit është njoftuar se një person kishte kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e plagosjes nga arma e zjarrit. Viktima, Z.B., mashkull 29 vjeç, ka pësuar plagë në këmbën e majtë dhe sipas mjekut gjendja e tij është stabile”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka shtuar se i dyshuari 24 vjeç, me ftesë të policisë është paraqitur në stacionin policor rreth orës 19:20.

“Njësitë përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Lidhur me rastin, procedurat e mëtejshme po zhvillohen në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Bytyqi për portalin rtv21.tv /21Media

Back to top button