Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për spiunazh

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarës për spiunazh, J.Gj.

Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Masa e paraburgimit, të dyshuarës iu caktua nga gjykatësi i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.


Përfundon seanca dëgjimore ndaj të dyshuarës për spiunazh

Ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj të dyshuarës për spiunazh Jelena Gjukanoviq e cila këtë të diel u soll  në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ajo tha se ende nuk është marrur vendimi ndaj të dyshuarës për caktimin e masës së sigurisë.

Gjukanoviq u arrestua në rajonin e Mitrovicës nën dyshimin për spiunazh më 28 shkurt.

Ajo ishte ndaluar për 48 orë. U krye edhe bastisje në banesën e të dyshuarës. Prokuroria kishte njoftuar se arrestimi është bërë pas hetimeve disamujore.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person, për shkak të dyshimit të bazuar, se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, u tha nga Prokuroria Speciale.

Back to top button