Një muaj paraburgim për burrin që dyshohet se dhunoi të miturën në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
E.I. dyshohet se, në janar të këtij viti, mori në veturë 15-vjeçaren dhe e dhunoi në një fshat të Ferizajt. Ai dyshohet se i ofroi asaj substancë narkotike në formë të cigares. Pasi e vërejti se viktima nuk ishte plotësisht e vetëdijshme i ofroi asaj edhe një cigare tjetër me marihuanë dhe më pas dyshohet se e detyroi me forcë të kryente akt seksual.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Habib Zeqiri, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se gjatë muajit janar 2025, në kohë të pacaktuar, në një fshat të komunës së Ferizajt, përkatësisht brenda veturës së markës “Golf VI”, i pandehuri e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën e mitur e moshës 15 vjeçare, në atë mënyrë që i pandehuri fillimisht e merr të dëmtuarën e mitur në veturën e tij tek parku i qytetit dhe gjatë shëtitjes i ofron substancë narkotike në formë të cigares dhe pasi bindet se e njëjta nuk është plotësisht e vetëdijshme, e shfrytëzon rastin dhe e ndalon veturën kinse për të pushuar dhe i jep përsëri edhe një cigare me marihuanë, ashtu që përkundër kundërshtimit të të miturës, i pandehuri me veprimet e tij të vazhdueshme pa dashjen e saj, dhe me forcë dyshohet se ka kryer akt seksual, me ç’rast e dëmtuara ka pasur frikë, ankth, shqetësim emocional dhe gjendet në një gjendje të vazhdueshme të rënduar psiqike për të cilën e dëmtuar ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.