Një muaj paraburgim për policin serb që u zë duke transportuar fishekë e para të gatshme

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej një muaji për pjesëtarin e Policisë së Serbisë, i cili u arrestua në Jarinjë nën dyshimin se transportoi fishekë e para të gatshme (euro e dinarë).
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Hateme Haxhaj, zëdhënëse e kësaj Gjykate, e cila tha se paraburgimi do t’i llogaritet nga 01.11.2025 deri më 01.12.2025.“Masa të pandehurit N.U. i është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, i armëve apo materialeve plasëse nga neni 364 par.1 i KPRK-së”- potencoi Haxhaj.
Ndryshe, të dielën, më 02.11.2025 Policia bëri të ditur se në vendkalimin kufitar në Jarinjë është arrestuar i dyshuari, pjesëtar i Policisë së Serbisë, për shkak se në veturën me targa të Beogradit të cilën ishte duke e drejtuar gjatë kontrollit në bagazh i janë gjetur dhe konfiskuar 51 fishekë, 9 mijë e 900 euro dhe 26 mijë dinarë serbë.
“Nga i dyshuari janë sekuestruar dokumente personale si kartela e identifikimit së bashku me distinktivin e Policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së Policisë serbe, letërnjoftimi i Serbisë dhe Kosovës, pasaporta e Serbisë, një palë spaleta të uniformës, një palë dorëza dhe një USB”- thuhej në raportin e Policisë së Kosovës.