Një muaj paraburgim për të dyshuarin për spiunazh, Bojan Jevtiq

(Lajm i përditësuar)
Një muaj paraburgim për të dyshuarin për spiunazh, Bojan Jevtiq
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit për spiunazh Bojan Jevtiq, i cili ishte zyrtar i Policisë së Kosovës.
Ai po ashtu dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.J., ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, tha gjykata.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, “ekziston rreziku i ikjes, mund t’i shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penal spiunazhi, si dhe duke marr për bazë faktin se i njëjti cenon sigurinë kombëtare, jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Gjykata po ashtu vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda.
“Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se cdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Avokati i Jevtiqit: Ofruam 15 mijë euro garanci, paraburgimi s’është i domosdoshëm
Avokati Milosh Nikolliq, mbrojtës i Bojan Jevtiqit, zyrtarit policor të arrestuar nën dyshimet për spiunazh, ka thënë pas përfundimit të seancës gjyqësore se është kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri dhe se është ofruar një garanci në shumë prej 15 mijë eurosh për t’iu shmangur paraburgimit.
“Kështu, u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë. Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një hetim për veprën penale të spiunazhit. Ajo që është me rëndësi, sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka deklaruar Nikoliq para mediave sot.
Ai ka shtuar se mbrojtja konsideron më të përshtatshme një masë më të lehtë sigurie.
“Masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga policia. Mendojmë se është e përshtatshme, sepse është fillimi i procedurës, mund të zgjasë gjatë, nuk ka nevojë për caktim paraburgimi,” u shpreh ai.
Nikoliq tha se se klienti i tij nuk ka mbajtur ndonjë pozitë të lartë në polici.
“Po, ju thashë, është në shërbim që nga viti 2002. Ka punuar në pikën kufitare Dheu i bardhë. Pra, nuk ka ndonjë gradë të lartë apo ka punuar në ndonjë detyrë të lartë. Ka punuar në pikën administrative, në pikën kufitare. Kjo është për tani”, tha ndër të tjera avokati.
Sa i përket provave të sekuestruara, ai tha se mbrojtja ende nuk ka qasje në to.
“Ndoshta po pyetni për dokumentet që kemi paraqitur. Ende nuk i kemi, meqenëse është në fazën e hetimit, nuk kemi qasje në prova, nuk na janë dorëzuar shkresat. Kur të na dorëzohen nga ana e prokurorisë shkresat, atëherë do të mund t’i komentojmë”, tha Nikolliq.
“Po ju them, ende nuk kemi qasje në asnjë provë, sepse është fillimi i procedurës. Kështu që, do t’ju njoftojmë. Po ju them, nuk kemi qasje në prova, kemi vetëm kërkesën për caktimin e paraburgimit”, tha ai.
Ndërsa, Lubisha Jevtiq, vëllau i të dyshuarit për spiunazh Bojan Jevtiq, pas seancës në Gjykatë, tha vëllai i tij është ndaluar pa asnjë bazë.
“Ai është njeri i ndershëm, që e ka kryer punën e tij me ndershmëri. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i mban me atë pagë. Pra, punon në Policinë e Kosovës prej 23 vitesh, pa asnjë njollë, pa asnjë problem. Dhe mendoj se nuk do të ketë fare proces, ai do të lirohet”, deklaroi ai.
Ka përfunduar seanca dëgjimore në rastin e policit të arrestuar për dyshimin për spiunazh, Bojan Jevtiq.
Prokurori special, Bekim Kodraliu tha se në bazë të provave të mjaftueshme kanë kërkuar masën e paraburgimit.
“Kërkoj mirëkuptimin tuaj, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk do të japim më shumë informacione. Nga provat që do të ekzaminohen me prioritet nga organet kompetente, do të vlerësojmë se a do të zgjerojmë hetimet edhe ndaj të dyshuarve të tjerë apo edhe për vepra të tjera penale ndaj të dyshuarit aktual”, ka thënë ai para mediave, raporton KosovaPress.
“Sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, zyrtar policor i dyshuar për vepër pernale të spiunazhit, poashtu siç keni qenë të njoftuar edhe dje Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Kamenicës respektivisht në shtëpinë e të pandehurit Bojan Jevtiq ku kemi siguruar prova të mjaftueshme, materiale dhe personale e në bazë të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin bazuar që i njëjti është duke marrë me aktivitet të kundërligjshëm”, aktivitet i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, zyrtarë e saj dhe qytetarëve të saj. Andaj kemi konsideruar se sot duhet të paraqesim masën e paraburgimit”, tha ai.
Prokurori special tha se nga provat që do të ekzaminohen do te vlerësohet nëse do të zgjerohen hetimet edhe për personat tjerë.
“Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e rendit juridik dhe qytetarëve të saj, për momentin dhe për shkak të hetimeve që jemi duke zhvilluar, por në fazën mëtutjeshme do të njoftojeni për provat dhe materialet. Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë qe i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale… janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë dhe 600 franga të cilat deri më tani i pandehuri deri më tani nuk ka mundur t’i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit”, tha ai.
Jevtiq dyshohet se u rekrutua nga shërbimi sekret serb dhe i çoi te BIA dokumentet konfidenciale të Policisë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj policit Bojan Jevtiq, i dyshuar për veprën penale të spiunazhit dhe armëmbajtje pa leje.
Seanca dëgjimore nis në orën 13 për shqyrtimin e kërkesës për paraburgim.
Kërkesa e prokurorit Bekim Kodraliu, e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, bazohet në dyshimin se Jevtiq, deri në ditën e arrestimit, ishte i rekrutuar nga Shërbimi Sekret Serb (BIA), iu ka ofruar atyre informata të ndjeshme për institucionet e sigurisë në Kosovë, përfshirë lëvizjet dhe planet operacionale të Policisë.
Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Jevqit e ka dërguar te BIA planin e Policisë së Kosovës i quajtur “Shënjestër” i hartuar pas sulmit në Banjskë dhe të njëjtin dokument ia ka komunikuar zyrtarit të BIA-së, Sasha Çiric i njohur me nofkën “Çira”.
Jevtiq dyshohet po ashtu se zyrtarit të BIA-s ia ka mundësuar qasjen në kompjuterin zyrtar, duke rrezikuar policët, sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Në shtëpi i janë gjetur edhe armë përfshirë një revole e tipit “Zastava” dhe 90 fishekë.
Në kërkesë thuhet se gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar pajisje elektronike, dokumente konfidenciale, armë, municion dhe shuma parash të padeklaruara: 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë dhe 600 franga zvicerane.
Sipas dokumentit, dyshimet ndaj Jevtiqit bazohen në kallëzimin penal të IPK-së, raportet mbi masat e veçanta hetimore, si dhe provat materiale të sekuestruara në shtëpinë e tij. Aty janë gjetur dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, plane operative, telefona të mençur, pajisje elektronike (USB, kompjuter), si dhe një CD me mbishkrimin “Ero W7X31” për eliminimin e fjalëkalimeve.
Aty përmenden raportet e AKI-së dhe dëshmitë e zyrtarëve të BIA-s serbe me të cilët Jevtiq dyshohet se kishte komunikuar.
Prokuroria argumenton se ekziston rrezik real për arratisje, ndikim në dëshmitarë, shkatërrim të provave dhe përsëritje të veprës penale. Sipas saj, asnjë masë tjetër përveç paraburgimit nuk do të garantonte rrjedhën e rregullt të procedurës.
Ndaj Jevtiqit, i cili ishte shef i operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin.
Një ditë më parë, Prokuroria njoftoi për arrestimin e Jevtiqit pas një operacioni të zhvilluar bashkë me Inspektoratin Policor dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
I dyshuari për spiunazh Bojan Jevtiq paraqitet në Gjykatë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është sjell polici i arrestuar për dyshimin për spiunazh, Bojan Jevtiq.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale pas operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë kanë njoftuar se kanë arrestuar togerin policor nën dyshimin për spiunazh. /kp
Seanca dëgjimore për Bojan Jevtiq, të arrestuarin për spiunazh, mbahet sot në orën 13:00
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca dëgjimore ndaj policit të arrestuar për dyshimin për spiunazh, Bojan Jevtiq.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se seanca fillon në orën 13:00.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas përfundimi të operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, njoftuan se kishin arrestuar togeri policor Bojan Jevtiq nën dyshimin për spiunazh.
Në njoftim thuhet se i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë, ndërkaq iu sekuestruan dokumente konfidenciale të Policisë, para, armë e muncion.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale sic janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mencur, usb, një armë e shkurtë, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, thuhet në njoftim.
Inspektorati Policor i Kosovës bën të ditur se ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, brenda afatit ligjor në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, do të parashtroj kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh në Kosovë.
“Fatin e këtyre rasteve do ta ketë dhe kushdo tjetër që përpiqet të minojë punën dhe rolin e besuar në Polici. Ndaj si çdo herë do të jemi të pakompromistë dhe vigjilentë përballë çdo përpjekje që nëpërmjet hapësirës që vendi ynë u jep në Polici të kthehet në sulm ndaj republikës sonë”, tha ai.