“Një nga monumentet që manifeston sakrificën per liri është Abria e Epërme”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi sot ka kujtuar masakrën e Abrisë së Epërme, me ç’rast ka theksuar se një nga monumentet që manifeston sakrificën per liri është Abria e Epërme, ‘vendi ku forcat e armatosura serbe, kryen nje ndër masakrat më të tmerrshme ndaj familjes Deliu’.
Krasniqi ka deklaruar se drejtësia ndaj tyre, është imperativ që nuk mund të tjetërsohet.
“Në përpjekje për t’a mbrojtur pragun e shtepise, po atë ditë, ranë dëshmorë Valdet Xhemajli, Vesel Demaku e Afrim Hajdaraj!
Në çdo përvejtor të kësaj masakre, kujtojmë me nderim e dhimbje martirët e Abrisë, të cilët janë pjesë e pandashme e kujtesës sonë, në rrrugën e sakrificës për liri. Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk janë ndëshkuar as planifikuesit, as urdhërdhënësit e as ekzekutuesit e kësaj masakre të tmerrshme. Lavdi martirëve e dëshmorëve të Abrisë.”, ka shkruar Krasniqi në facebook.
Ndryshe, sot janë bërë 23 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme. Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kanë kryer një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në atë ditë janë masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç./21Media