Një zjarr aktiv në Trudë, 44 intervenime në 24 orët e fundit në Prishtinë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent njoftoi se numri i zjarreve gjatë 12 orëve të fundit ka rënë ndjeshëm.
Aktualisht, është aktiv vetëm një zjarr në Trudë të Prishtinës, ku ekipet janë në terren.
Drejtori i Shërbimeve emergjente në Prishtinë, Lulzim Fushtica tha për KosovaPress, se gjendja momentale është e qetë, por në 24 orët e fundit kanë pasur 44 intervenime dhe fatmirësisht nuk ka pasur lëndime në njerëz.
Fushtica theksoi se për shkak të zjarrit të madh në Trudë kanë pasur nevojë për njësi shtesë.
“Situata momentale në kryeqytet është e qetë, përveç një zjarri aktiv që e kemi në fshatin Trudë ku për momentin janë dy njësi të cilët janë duke u kujdesur që zjarri mos të shpërndahet, por që të përfundon intervenimi. Zjarret e tjera dhe intervenimet e tjera që i kemi pasur gjatë ditës së djeshme, të gjitha me sukses janë përfunduar. Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasur 44 intervenime. Ka qenë një ditë e vështirë për kryeqytetin për shkak të numrit të madh të zjarreve, për shkak edhe të motit, pasdite që kemi pasur një mot me erëra të forta, kemi pasur një intervenim në lagjen te Maxi 24 ku si pasojë e erërave të forta është shkatërruar edhe kulmi i një ndërtese dhe ngjarjet e tjera që kanë qenë kryesisht në periferi të Prishtinës. Në fshatin Trudë ka qenë zjarri më i madh ku kemi pasur intervenim edhe me njësi shtesë, por për fat të mirë nuk kemi pasur lëndime apo humbje të jetës së njeriut, por dëmet materiale janë ato që janë por duhet bërë vlerësimi pas intervenimit”, tha Fushtica.
Në mbrëmjen e kaluar kanë qenë 40 zjarrfikës të angazhuar dhe të gjitha automjetet e zjarrfikësve. Përveç kësaj, Fushtica u shpreh se ndihmë e madhe kanë qenë edhe policia e Kosovës, njësitë speciale dhe ekipet mjekësore.
“Natën e mbrëmshme kanë qenë 40 zjarrfikës. Dy ndërrime janë angazhuar me të gjitha automjetet. Duhet të theksoj dhe vlerësoj po ashtu ndihmën e madhe të Policisë së Kosovës. Kemi pasur ndihmë edhe nga njësitë speciale që kanë ardhur me topa uji që të dalin ndihmë në disa vatra, po ashtu edhe ekipe tjera emergjente të kryeqytetit, ndihmën emergjente mjekësore, pra të gjitha ekipet janë të angazhuara dhe kemi bërë një menaxhim të mirë të situatës”, tha Fushtica.
Ndërsa dyshohet se zjarret kanë shpërthyer si rezultat i temperaturave të larta që po mbretërojnë ditëve të fundit në vendin tonë, Fushtica fton qytetarët për kujdes të shtuar.
“Edhe për shkak se ne kemi pasur dje temperatura rekorde të larta, prapëseprapë faktori njeri është ai që është shkaktar i të gjitha këtyre problemeve. Pakujdesia apo ndonjëherë edhe me qëllim, zjarret nuk po ndizen vetvetiu, 99% e zjarreve ndizen nga pakujdesia apo edhe me qëllim nga faktori njeri dhe për atë arsye edhe përkundër thirrjeve tona, thirrjeve të nivelit qendror, thirrjeve të agjencionit për menaxhim të emergjencave, prapëseprapë qytetarët nuk kanë arritur nivelin e vetëdijes që të mos shkatërrojnë natyrën, pronat dhe të mirat materiale,” tha Fushtica.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent apelon qytetarët të shtojnë kujdesin dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme, si dhe të raportojnë çdo rast në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.