Njësia Speciale merr nën kontroll Manastirin e Banjskës

(Lajm i përditësuar)
Forcat policore depërtojnë brenda Manastirit të Banjskës
Siç po raportohet në media, forcat policore të Kosovës kanë depërtuar brenda Manastirit të Banjskës.
Sveçla: Operacioni i Policisë po vazhdon ende
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një deklarim për media ka thënë se aksioni i Policisë në fshatin Banjskë po vazhdon.
Tutje Sveçla ka shtuar se Policia ka hasur në armatim të madh, për çka shtoi se do japin detaje në vazhdim.
Shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka gjetur një ”Arsenal armësh gjindet nga Policia e Kosovës në Manastirin e Banjskës”.
Policia e Kosovës: Tre sulmues të vrarë, një i arrestuar
Policia e Kosovës ka njoftuar se sipas informatave zyrtare nga terreni gjatë shkëmbimit të zjarrit konfirmohet vrasja edhe e dy sulmuesve të tjerë, të cilët kanë qenë të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur rëndë, e po
ashtu konfirmohet edhe arrestimi i një sulmuesi të uniformuar dhe të armatosur.
Si pasojë e sulmeve një zyrtar policor i PK-së ka pësuar lëndime kryesisht të lehta.
”Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si arme dhe municion të kalibrave të ndryshëm. Po ashtu njësitet policore gjatë ushtrimit të pikë kontrollit rutinë të automjeteve, në zonën e fshatit Rudare ka ndaluar katër persona të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, të cilët dyshohet se ndërlidhen me grupet kriminale, ku të gjitha veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e
një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.Policia e Kosovës vazhdon t’iu bëjë thirrje grupeve kriminale që të dorëzohen para organeve të drejtësisë dhe njëkohësisht fton qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit, në interes të qetësimit të situatës dhe sigurisë së përgjithshme”, ka njoftur Policia.
Policia e Kosovës konfirmon: Një nga sulmuesit në veri është vrarë
Policia e Kosovës, ka njoftuar se një nga sulmuesit në Banjskë të Zveçanit është vrarë.
“Njësitet policore konform situatës dhe rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve të asaj zone, janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen grupeve kriminale, ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, ka thënë Policia përmes një komunikate për media.
Sipas Policisë situata në Veri të vendit, konkretisht në zonën e fshatit Banjska vazhdon të jetë e tensionuar, grupet kriminale kohë pas kohe po sulmojnë me armë zjarri njësitet policore në teren.
Tutje Policia ka njoftuar se sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së.
Lajçak dënon sulmet e grupeve kriminale serbe ndaj Policisë së Kosovës
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, i ka dënuar sulmet e grupeve kriminale serbe ndaj Policisë së Kosovës në Zveçan.
Në llogarinë e tij në Twitter, ai ka shkruar se dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme.
“Dënoj fuqishëm sulmin e tmerrshëm kundër policisë së Kosovës mbrëmë. Dhuna e çdo forme është absolutisht e papranueshme. Zemra ime është me viktimat, familjet dhe kolegët e tyre. Autorët duhet të dalin para drejtësisë. Të gjithë duhet t’i kthehen dialogut menjëherë”, ka shkruar Lajçak.
Borrell: Dënoj ashpër sulmin e shëmtuar nga një bandë e armatosur kundër policëve të Kosovës
Bashkimi Evropian e ka dënuar ashpër sulmin nga një “bandë e armatosur” kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës në veri.
“Të gjitha faktet për sulmin duhet të vërtetohen. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Borrell.
Në reagimin e BE-së është thënë se më shumë jetë të personave të pafajshëm janë duke u rrezikuar nga armiqësitë rreth Manastirit në Banjskë.
“Këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, theksoi ai./21Media
Sveçla: Manastiri në Banjskë, “burim i sulmeve”
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Manastiri në fshatin Banjskë në veri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.
Si pasojë e sulmeve, një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë të dielën në atë pjesë.
“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha ai.
Sveçla ka thënë se këta persona të armatosur janë rrethuar brenda Manastirit.
“Këta terroristë janë të rrethuar nga njësite policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”, tha Sveçla.
Kurti: S’kemi informacion zyrtar nëse nga grupi kriminal ka të plagosur a vrarë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion zyrtar nëse ka të plagosur apo të vrarë nga grupi kriminal.
Kurti tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha janë në kampin në Belvedere.
“Jam në Prishtinë me zëvendësdrejtorin Hoti, ndërsa Sveçla e Hoxha janë në Belvedere. Ne jemi vazhdimisht në komunikim. Të vetmet momente kur s’munda janë këto. Menjëherë do të vazhdojmë të marrim lajmet më të reja, por në këto momente s’mund ta konfirmoj këtë”, tha Kurti.
Më tej, ai tha se në momentin që policia i jep informacion zyrtar, i njëjti do të ndahet me publikun.
Hoti për informatat se sulmuesit janë pjesëtarë të Wagnerit: S’kemi diçka të argumentuar
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, i pyetur në konferencë për media se nëse sulmuesit janë nga grupi mercenar rus Wagner, ai ka thënë se po i trajtojnë informatat, porse nuk ka di[ka të argumentuar.
“Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë e të mirë me AKI-në, trajtojmë [do informatë që marrim. Kemi pasur edhe më herët informata për Grupin Wagner, se individë nga ky grup mund të lëvizin, do të lëvizin apo mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar, por deri tash nuk kemi diçka të argumentuar e trajtuar, se janë pjesëtarë të këtij grupi. Si informacion e kemi trajtuar. Me KFOR-in jemi në kontakt të vazhdueshëm për të gjitha veprimet që ndërmerr policia, jemi në koordinim të vazhdueshëm”, tha Hoti.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dihet që “rrotull kufirit të Kosovës në anën e Serbisë, ka vazhdimisht lëvizje”.
Zv-drejtori i Policisë: Po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri në Veri
Fehmi Hoti, zv-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se në veri të Kosovës po vazhdon të ketë shkëmbim zjarri.
Ai ka thënë se nuk ka informacione nëse ka të vrarë nga pala tjetër.
”Deri më tani që kemi informacione zyrtare është një të vrarë dhe dy kolegë që njëri është i lënduar tjetri i plagosur. Nuk ka informacione nga pala tjetër. Momentin që po flasim ka ende shkëmbim zjarri”, ka thënë Hoti.
Ky sulm është cilësuar si terrorist, ndërkohë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar edhe fotografi të këtyre grupeve.
Kurti publikon fotografitë ku shihen persona të armatosur e të maskuar
Kryeministri Albin Kurti ka publikuar disa fotografi nga vendi i ngjarjes ku ndodhi vrasja e policit të Kosovës sot.
Në fotografi shihen persona të maskuar, të uniformuar e me vetura pa targa.

Kurti: Së paku 30 persona të armatosur rëndë nën rrethimin e forcave tona
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar ende.
Ai në një konferencë për media këtë të diel tha se janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë a policë të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoi që të dorëzohen te organet e sigurisë.
“Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen dhe dënohen. Qeveria e Kosovës dhe Institucionet e shtetit janë të gatshëm dhe të bashkërenduara t’i përgjigjën krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, tha Kurti.
Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës”.
Vitia: Gjendja policit të plagosur, jashtë rrezikut për jetë
Gjendja e policit të plagosur në veri të Kosovës është jashtë rrezikut për jetë, ka thënë ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, pas vizitës që ia ka bërë zyrtarit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Vitia i uroi policit të plagosur shërim të shpejtë!
Ndërsa i shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e jetës së kolegut të tij, Rreshterit që ra sot në krye të detyrës në mbrojtje të rendit, të sulmuar nga grupe kriminale gjatë një sulmi terrorist.
Pas ngjarjeve të ndodhura në Banjskë, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, veçanërisht atë të Mitrovicës dhe Vushtrrisë.
Kurti i bën thirrje Serbisë t’i ndalë sulmet në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë një postim pak minuta më parë në X – platformë e njohur si Twitter, duke thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë duke vazhduar në veri.
“Kjo është arsyeja pse i kemi bërë thirrje Serbisë që të mos i sponsorojë sulmet terroriste në veri”, ka shkruar ai.
A 🇽🇰 policeman has been killed today in the line of duty while another has been injured, in the northern municipality of Zveçan. The gunfire against the police is ongoing. This is the reason why we have been calling for Serbia to stop sponsoring terrorist attacks in the north.
— Albin Kurti (@albinkurti) September 24, 2023
Rohde: Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi se autorit e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku duhet të dalin para drejtësisë.
Përmes një postimi në rrjete sociale ku ka shprehur dakordimin me ambasadorin amerikan Hovenier, tha se sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë.
“Unë pajtohem plotësisht me deklaratën e kolegut tim amerikan. Autorët e këtij sulmi vrasës kundër zyrtarëve të rendit të Kosovës duhet të dalin para drejtësisë. Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policëve të vdekur të PK-së dhe për policët e plagosur të PK-së”, shkroi Rohde.
I fully associate with my US colleagues‘ statement. The perpetrators of this murderous attack against KOS law enforcement officers must be brought to justice. 1/2 https://t.co/lqk48HCm96
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 24, 2023
Ambasada amerikane reagon pas vrasjes së policit: Autorët do të mbajnë përgjegjësi
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet e orkestruara dhe të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës, duke thënë se autorët e këtij sulmi duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi.
Në reagimin e ambasadës thuhet se Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe është legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagimi i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, thuhet në reagimin e Ambasadës.
Më tej bëhet e ditur se po monitorohet situata nga afër dhe po dënohen aktet e dhunshme ndaj autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës.
“Autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë. Ata duhet të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre. Në emër të Shteteve të Bashkuara, shpreh ngushëllimet e mia të thella për vdekjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, i cili u vra në krye të detyrës. Gjithashtu përcjell urimet e mia për shërim të shpejtë për dy oficerët e plagosur”, thuhet në njoftim.
STATEMENT BY AMBASSADOR JEFFREY M. HOVENIER
The United States strongly condemns the orchestrated, violent attacks on the Kosovo Police this morning, September 24. The Kosovo Police has full and legitimate responsibility for enforcing the rule of law according to the constitution… pic.twitter.com/o7Otr038nB
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) September 24, 2023
Mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se në orën 10:00 do të mblidhet Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje do të mbahet pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në veri të vendit, ku një zyrtar policor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi pranë urës në fshatin Banjskë në veri.
Kurti viziton policin e plagosur
Polici i plagosur Alban Rashiti është operuar me sukses në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku i është hequr predha nga krahërori i majtë.
Policin e plagosur i cili po trajtohet në QKUK e vizitoi edhe kryeministri, Albin Kurti.
“Operacioni i heqjes së predhës nga kraharori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit”, shkroi Kurti.
Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali.
Drejtori i Klinikës Torakale tregon për gjendjen e policit të plagosur
Drejtori i Klinikës Torakale, Nazmi Kolgeci për portalin rtv21.tv ka thënë se polici i plagosur, është jashtë rrezikut për jetë. Ai ka thënë se ekipet kujdestare kanë arritur ta largojnë një mjet nga ana e majtë e gjoksit.
Kolgeci ka thënë se plumbi nuk i ka prekur organet vitale dhe se gjendja e tij është stabile.
“Në orët e para të mëngjesit kemi arrit ta kryejmë një intervenim ndaj tij dhe e kemi larguar një predhë (dyshohet të jetë plumb) nga ana e majtë e gjoksit. Fatmirësisht, nuk i ka prekur organet vitale të policit. Gjendja e tij shëndetësore është mirë dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën tonë”, u shpreh Kolgeci.
Persona të unfiromuar të Serbisë janë futur 15 km brenda Kosovës
Shefi i Stafit në Kabinetin e presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka thënë se persona të uniformuar të Serbisë me automjete të blinduara janë futur 15km brenda territorit të Kosovës.
Vela tha se presidenti serb, Alekasandar Vuçiq “i është drejtuar një agresioni të paparë ndaj Kosovës. Ai do të dështojë”.
Serbia’s “little green men” with armored vehicles are 15 km inside Kosovo territory (Banjska), where a terror attack against Kosovo Police resulted in a 🇽🇰 police officer being killed & another wounded.
Vučić has resorted to an unprecedented aggression against 🇽🇰. He will fail!
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) September 24, 2023
Konjufca pas vrasjes së policit: ShBA-ja e BE-ja ta dënojnë këtë agresion
Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit, për të cilin tha se është sulm terrorist i strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia.
Konjufca tha se ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues të Kosovës, veprimeve për rend e ligj por edhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë së vendit.
“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë”, tha Konjufca.
Tutje, ai kërkoi që autorët e këtij krimi urgjentisht të sillen para drejtësisë, teksa ftoi institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.
Policia: U gjuajtëm me zollë, granata e armë – sulmet po vazhdojnë
Policia e Kosovës përmes një komunikate ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e policit në veri të vendit.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar. Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë. Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri. Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor”, ka thënë tutje Policia.
Osmani: Vrasja e policit, sulm ndaj Republikës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një polici të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit nga bandat kriminale.
Osmani tha se vrasja dhe plagosja e një polici në veri është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, teksa e quajti sulm ndaj Kosovës.
“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.
Më tej, ajo tha se pret që aleatët e Kosovës ta mbështesin vendin në përpjekjen për të vendosur rend e ligj në çdo pjesë të Republikës.
“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë. Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, tha Osmani përmes një postimi në “Facebook”.
Vritet një polic në veri, plagoset një tjetër
Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Leposaviqit. Një tjetër polic është plagosur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa si pasojë e sulmit rreshteri policor A.B. ka mbetur i vdekur, kurse është plagosur një polic kufitar. Ai ka thënë se po vazhdojnë të shtënat me armë në këto momente.
“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Ai ka treguar se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.
“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.