Njohja reciproke bllokon Serbinë për anëtarësim në BE?

Një debat mbi kushtëzimin e rrugës evropiane të Serbisë me njohjen reciproke me Kosovës, ka shkaktuar një përplasje në distancë ndërmjet diplomatëve perëndimorë. Debati u nxit nga një deklaratë e ambasadorit amerikan në Beograd, Hill, se Serbisë po i kërkohet normalizimi dhe jo njohja e Kosovës në rrugën evropiane. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde tha se një gjë e tillë nuk është e mundur.

Një debat ndërmjet përfaqësuesve diplomatik rreth deklaratës së ambasadorit, Christopher Hill, se Serbia nuk e ka obligim njohjen formale të Kosovës për anëtarësim në BE, ka marr përmasa të gjëra. Vetë Departamenti Amerikan i Shtetit, një ditë pas deklaratës së Hill, ka qartësuar se dialogu midis dy shteteve duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha angazhimet e tyre të Dialogut plotësisht dhe pa vonesa apo parakushte. Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara është një përfundim me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkohë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përmes një postimi në rrjetin social X, e ka rikujtuar një deklaratë të kancelarit gjerman, Olaf Shoclz, se normalizimi i marrëdhënieve Kosovës Serbi duhet ta ketë në fund njohjen reciproke.

“Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit gjerman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor të vitit 2022 për normalizimin, përfshirë njohjen reciproke. Kjo qëndron ende. Rruga është aty. Zbatim i plotë i marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka thënë ai.

Por çfarë tha Kancelari gjerman, Olaf Scholz, që në qershor të vitit 2022?

“E qartë është se marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”, kishte thënë Scholz.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga hapat e pakoordinuar dhe të njëanshëm dhe të zbatojnë marrëveshjet që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Qëndrimi i BE-së është se të dyja palët, çfarëdo që bëjnë, duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të arritura në dialog. Duhet të përmbahen nga hapat e pakoordinuar dhe të njëanshëm si dhe duhet të përqendrojnë çdo gjë që bëjnë në zbatimin e marrëveshjeve në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Stano.

Ndaj deklaratës së ambasadorit Hill, ka reaguar edhe Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i cili ka vlerësuar se pa njohje reciproke nuk mund të ketë normalizim.

“Është e thjeshtë: Qëllimi i Dialogut në Bruksel i udhëhequr nga BE-ja është të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje reciproke, s’mund të ketë normalizim”, tha Bajrami.

Lidhur me debatin nëse Serbia duhet të pranohet në BE pa e njohur Kosovën apo jo, analistja politike Arta Tahiri, mendon se një gjë e tillë as që duhet të mendohet.

“Nuk duhet menduar asnjë lëvizje drejtë BE-së nga ana e Serbisë, e aq më pak të mendohet një anëtarësim i saj duke i ditur qëndrimet dhe vendimet që ka marrë karshi Kosovës. Nuk mund të ketë paqe në rajon dhe në Ballkan në qoftë se Serbia nuk ndëshkohet për qëndrimet e saj destruktive ndaj Kosovës, por edhe ndaj vendeve të Ballkanit”, tha Tahiri për rtv21.

Po ashtu, Tahiri ka kërkuar nga BE-ja që ketë kujdes me përafrimin e atyre shteteve që krijojnë destabiletet në rajon siç është Serbia.

“Serbia ka krijuar një situatë destabiliteti në Ballkanin Perëndimor gjë që BE-ja nuk e ka asnjëherë në agjendën e tyre për të promovuar apo për të pas anëtare shtetet e cilat krijojnë situata të tilla, përkundrazi ato shtete që krijojnë stabilitet, paqe dhe siguri dhe respektim të demokracisë”, tha ajo.

Bashkimi Evropian tha se marrëveshja e arritur në Bruksel dhe aneksi i saj i zbatimit në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve nuk është duke u zbatuar nga Kosova dhe Serbia. BE-ja ritheksoi se as Kosova por as Serbia nuk mund të bëhen anëtare e BE-së pa respektimin e të gjitha pikave të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve./RTV21/21Media

Back to top button