Njohja reciproke (s)’harrohet në procesin e dialogut!

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë shumë shpejtë me një marrëveshje finale vlerëson ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Sipas tij, përfaqësuesit politik duhet të jenë të kujdesshëm në negociatat me Serbinë sepse, siç tha, zvarritja e këtij procesi tregon synimet e Serbisë që në Bruksel të bisedohet për statusin e Kosovës. Analistët politikë shprehin shqetësim se zvarritja e arritjes së marrëveshjes finale me njohje reciproke i jep mundësi Serbisë të kërkojë kompromise shtesë ndaj Kosovës.

Bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë viteve të fundit janë fokusuar në zgjidhjen e problemeve kryesisht teknike, përfshirë targat, letërnjoftimet dhe së fundmi edhe valutën serbe dina. Por çështja e njohjes reciproke duket se ka mbetur pezull.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, që mori pjesë në bisedimet e Vjenës, i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë të hyjnë në fazën përfundimtare duke shprehur shqetësimin se Serbia përmes zvarritjes së procesit synon ta shtrijë ndikimin e saj për destabilizimin e Kosovës.

“Është e rëndësishme që në këtë proces të bisedimeve të ketë kualitet që nënkupton respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. I cili nënkupton respektimin e kushtetutës dhe normave e dispozitave të saj. Dhe natyrisht që shkëputë makinacionet që Serbia ka që me dialog të vazhdueshëm e ta pandërprerë të komprometojë rezultatet që ka pas Kosova bashkë me bashkësinë ndërkombëtare. Serbia duhet të detyrohet që të ndal këto makinacione që ajo i bënë në vazhdimësi dhe që i ka lojë perfide. Unë them nga pjesa e negociatave që kam udhëhequr në emër të Kosovës bashkë me ekipin e unitetit deri në ditën e pavarësisë është e hutueshëm se Serbia dëshiron që në çdo formë të ikë nga përgjegjësia e të qenurit serioz të procese. Ata dëshirojnë që sot, nesër e pasnesër që të arrijnë diçka në kuptimin e hapave komprometues për rezultatet që realisht janë arritur në pjesën globale. Prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë një trysni të jashtëzakonshme në Serbinë që të ketë kujdes me këto makinacione dhe të ndërkrehet ky proces në mënyrë që të hyhet në një fazë përfundimtare në kuptimin e relaksit të marrëdhënieve dhe të ndërtimit dhe marrëdhënieve të mira si fqinjë. Çdo gjë tjetër që nënkupton shembjen e sovranitetit të Kosovës, që përmes Kosovës të ngritin kriza në rajon dhe të bëjnë rajonin destabil dhe përgjegjësinë t’ia bartin Kosovës të lihen anash”, tha Sejdiu.

Ai tha se zvarritja e rezultateve konkrete në dialog tregon qartë synimet e Serbisë se proces të dialogun të diskutohet për statusin e Kosovës.

“Të mbrohet konstrukti i Kosovës së pavarur, por paralelisht me këtë të përshpejtohet në mbylljen e kësaj kaptine në të cilën Serbia dëshiron ta shndërroj në biseda për statusin. Çështja e statusit ka përfunduar, njëherë e përgjithmonë ajo duhet ta ketë të qartë, këtë e thonë të gjithë miqtë e Kosovës, se Kosova nuk mund të cenohet, as sovraniteti e as integriteti saj. Dhe as të jene formula që bëjnë shkatërrimin e strukturës institucionale të Kosovës”, tha Sejdiu.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet thonë se me Serbinë ka telashe në proces të dialogut për shkak të, sic thonë, qasjes se saj destruktive. Deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci, ka kritikuar BE-në se nuk po bënë trysni mbi Serbinë për një marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë.

“Kemi standarde të dyfishta të BE-së duke shkuar vetëm me deklarata dhe jo me pasoja ndaj Serbisë. BE-ja e sheh që Serbia po e shkel marrëveshjen e Burkselit dhe nuk ka pasoja. Serbia duke e parë që nuk ka pasoja as pas sulmeve në Banjskë dhe pëngesave që po i bënë në mekanizmat ndërkombëtar, unë mendojë se do të kemi edhe me tutje telashe me Serbinë. Marrëveshja e Brukselit nuk po zbatohet për shkak që Serbia po e pengon Kosovën të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtar”, tha Bajqinovci.

Por ndërkohë, analistët politikë kanë pak pritshmëri se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke është afër. Albinot Maloku fajësoi edhe Qeverinë e Kosovës për, siç tha, pranimin e një marrëveshjeje në Ohër për normalizim të marrëdhënieve, duke hequr dorë nga njohja e ndërsjellë.

“Njohja apo ai dokumenti gjithëpërfshirës obligativisht ligjor për palët ku në qendër e ka njohjen e ndërsjellë ka qenë diskurësi thelbësor deri tani. Qeveria aktuale e ndryshojë kursorin duke e pranuar planin franko-gjerman që për pasojë lë hapësirën e vet të diskutohet edhe për një dokument tjetër përfundimtar. Pa e pasur atë dokument përfundimtar dialogu nuk shoh që mund të përmbyllët. Do të flasin ende për çështjet që i përkasin vetëm Kosovës. Mirëpo njohja në qendër ka qenë gjithmonë edhe interes edhe shpjegim i faktorit ndërkombëtar, ju kujtohet shumë mirë se presidenti Biden kishte thënë se duhet marrëveshje me njohje reciproke”, tha Maloku.

Deklarimet e përfaqësuesve të pushtetit se marrëveshja e Ohrit me Serbinë parasheh njohjen de-facto apo de-jure të Kosovës nga Serbia i hedh poshtë analisti tjetër politik, Lutfi Bilallit. Madje, sipas tij, Kosova dhe Serbia janë larg një marrëveshje të tillë.

“Marrëveshja e fundit dhe finalizimi i odisesë së bisedimeve me Serbinë pritet nga ne të jetë me njohje reciproke, por sipas dokumenteve që kemi deri tani nuk ka të bëjë me njohje reciproke”, tha Bilalli.

Përfaqësues diplomatik në Kosovë dhe Serbi kanë aktualizuar një debat mbi një marrëveshje të mundshme midis Kosovës dhe Serbisë në të cilën do të përfshihej njohja reciproke midis dy shteteve si zgjidhje përfundimtare. Por, Bashkimi Evropian ka thënë se kjo e gjitha varet nga vullnet i Kosovës dhe Serbisë./RTV21/21Media

Back to top button