NLB Banka dhe Universiteti i Prishtinës hapin zyrtarisht Data Hackathon 2026

NLB Banka, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Shkencave Matematike- Natyrore dhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, ka lansuar sot programin Data Hackathon, një iniciativë e dedikuar zhvillimit të zgjidhjeve inovative nga studentët në fushën e teknologjisë, analizës së të dhënave dhe transformimit digjital.

Me hapjen e programit, Kryetari i Bordit Udhëheqës në NLB Banka, z.Gem Maloku, iu drejtua studentëve me një mesazh frymëzues.

“Shfrytëzojeni këtë mundësi unike për të shprehur kreativitetin tuaj dhe mos hezitoni të vini me ide të guximshme e novatore. Ky është momenti juaj për të menduar ndryshe, për të eksperimentuar dhe për të provuar se si kreativiteti bëhet zgjidhje.”

Nga ana tjetër, Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Prof. Driton Balaj, shprehu mirënjohjen e tij për këtë partneritet, duke theksuar rëndësinë e tij për formimin profesional të studentëve.

“Ky bashkëpunim u ofron studentëve tanë përvojë reale dhe një platformë për të aplikuar njohuritë e tyre në projekte me ndikim. Falënderojmë NLB Bankën për mbështetjen e këtij programi.”

Më pas studentët prezantuan idetë e tyre fillestare, duke shfaqur aftësitë e tyre në mendim kritik, kreativitet dhe qasje analitike. Për tri javët në vijim, ata do të punojnë në mënyrë intensive në konceptimin dhe ndërtimin e projekteve të tyre, të cilat më pas do të vlerësohen dhe shpërblehen.

Data Hackathon 2026 synon të krijojë një hapësirë të vërtetë inovacioni, ku studentët sfidojnë
veten dhe njëri-tjetrin për të sjellë ide të reja që mund të ndikojnë në sektorin financiar dhe më
gjerë.

Back to top button