Normalizohet qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë

(Lajm i përditësuar)
Normalizohet qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) ka njoftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, se është normalizuar qarkullimi në pikat kufitare me Serbinë.
“Njoftim me rëndësi! Njoftohen të gjithë qytetarët se është normalizuar qarkullimi në PKK me Serbinë. Ju falënderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim! Nëse keni nevojë për informim shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, ka shkruar QKMK në “Facebook”.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme ishte paralajmëruar një protestë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, për të kundërshtuar shtetin e Kosovës.
Megjithatë pjesëmarrja e serbëve nuk ishte aq e madhe, derisa afër vendit të ngjarjes kanë qenë forcat e policisë EULEX-it, derisa më në distancë janë parë edhe forca të KFOR-it.
Protesta e paralajmëruar në Jarinjë nga Serbia po monitorohet edhe me helikopterë
Pas paralajmërimit për protestë në Serbi, në Leposaviq vërehet prezencë më e madhe e Policisë së Kosovës dhe KFOR-it.
Megjithatë situata në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë është e qetë dhe qarkullimi po vazhdon normalisht.
Përveç KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë po qëndrojnë edhe automjete te misionit të Bashkimit Evropian për zbatim të ligjit, EULEX si dhe karabinierët.
Patrullimi i kufirit po bëhet edhe nga ajri me helikopterë. Qarkullimi i automjeteve në këtë pikë kufitare është i vogël.
Protesta e serbëve afër pikëkalimit në Jarinjë, KFOR-i EULEX-i të pranishëm
Një protestë afër pikë-kalimit kufitar në Jarinjë është paralajmëruar sot të mbahet.
Përgjatë rrugës që dërgon në pikë-kalimin kufitar janë parë automjete të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misionit të Bashkimit Europian për zbatim të ligjit, EULEX afër pikës kufitare.Ndërsa, edhe Policia e Kosovës është e vendosur në pikë-kalimin kufitar, si zakonisht.
Aktualisht situata është e qetë.
QKMK thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë sot përmes pikë kalimeve kufitare me Serbinë
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar u ka bërë thirrje qytetarëve të cilët planifikojnë të udhëtojnë sot përmes pikave kalimeve kufitare me Serbinë, të përdorin pika tjera për qarkullim, pasi atje për sot janë paralajmëruar protesta.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka theksuar se ky njoftim vlen deri në një njoftim tjetër.
“Njoftohen të gjithë qytetarët të cilët planifikojnë të udhëtojnë përmes Pikë Kalimeve Kufitare me SRB, se në pjesën e SRB, për nesër, datë 25 Maj 2024, janë paralajmëruar protesta. Ju inkurajojmë që të përdorni PKK tjera për qarkullim. Ky njoftim vlen deri në një njoftim tjetër. Ju falënderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim! Për çdo informatë shtesë kontaktoni numrat e telefonit në QKMK 045198000, 045198606 dhe pa pagesë 080050095”, thuhet në njoftim e së premtës të QKMK-së.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?