Kaloni te përmbajtja kryesore

Norvegjia përshëndet vendimin e Kosovës për t’i strehuar refugjatët afganë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një takim me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl ka biseduar lidhur me situatën me COVID-19 duke e falënderuar edhe për ndihmën në menaxhimin e pandemisë dhe ngritjen e kapaciteteve për politikbërje efikase.
Gjatë takimit, Osmani dhe Grøndahl diskutuan për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme për qytetarët afganë, përfshirë edhe familjet e tyre. Teksa, ambasadori Grøndahl shprehu vlerësimin e Mbretërisë së Norvegjisë për vendimin e Republikës së Kosovës për të ofruar strehim për qytetarët afganë.
Në një njoftim për media bëhet e ditur  se Osmani ka vlerësuar mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, e cila nëpërmjet një Memorandumi të Mirëkuptimit do t’i ofrojë Zyrës së Presidentes, ekspertizë në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, si dhe fushat e tjera, varësisht nga nevoja.
Në Kosovë të dielën më 29 gusht, arriti grupi i parë me 111 qytetarë afganë, të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin.
Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Afganët që kanë arritur në Kosovë janë strehuar në ish-kampin e kompanisë Bechtel Enka, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj./21Media 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button