“Nuk jemi konsistentë”: Mbappe flet hapur pas humbjes së Realit nga Benfica

Kylian Mbappe beson se Real Madridi e ka merituar të përfundojë në fazën play-off të Ligës së Kampionëve, pas humbjes 4-2 ndaj Benficës në Lisbonë, që e la kampionin rekord të Evropës në vendin e nëntë të fazës së ligës. Sulmuesi francez pranoi se mungesa e konsistencës i kushtoi ekipit një vend direkt në 16-shen më të mirë, duke theksuar se Benfica ishte skuadra më e mirë në atë përballje. “Problemi është se nuk jemi të qëndrueshëm në lojën tonë… një ekip kampion nuk e bën këtë,” tha Mbappe, i cili shënoi dy herë në humbje.

Sipas tij, rënia e performancës nuk lidhet me një faktor të vetëm. “Mendoj se është pak nga gjithçka… në Ligën e Kampionëve çdo detaj ka rëndësi nëse do të mposhtësh kundërshtarin,” u shpreh Mbappe, duke shtuar se nëse nuk vjen i përgatitur plotësisht, kundërshtari të ndëshkon. Reali tani do të duhet të luajë dy ndeshje shtesë në shkurt kundër Benficës ose Bodo/Glimt për të siguruar kalimin tutje.

Megjithatë, ylli francez kërkoi unitet dhe mbështetje nga tifozët para ndeshjes së La Ligës ndaj Rayo Vallecanos. “Ejani dhe mbështesni ekipin… nuk jemi eliminuar nga Liga e Kampionëve dhe në La Liga jemi në një dinamikë të mirë,” tha Mbappe. “Nëse Bernabeu është me ne, do të fitojmë të dielën.”

Back to top button