Nuk miratohen dy mocione, opozita lëshon sallën

(Lajm i përditësuar)
Nuk miratohen dy mocione, opozita lëshon sallën
Pozita nuk mbështeti kërkesat e opozitës për votimin e dy mocioneve. Njëra për miratimin e kërkesave të minatorëve të “Trepçës” e tjetra për kërkesat e pjesëtarëve të njësive elite të Policisë së Kosovës. Për të dy këto çështje, përfaqësues të partive opozitare thanë se është me urgjencë që Kuvendi të miratojë rezoluta, ndërkaq shumica parlamentare nuk është pajtuar me një gjë të tillë. Pas dështimit të miratimit të këtyre dy mocioneve, opozita ka lëshuar sallën plenare, ndërkohë që po vazhdohet me pika të tjera të rendit të ditës.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kërkesa për plotësim të rendit të ditës është tendencë për politizim të vazhdueshëm të kësaj çështje.
“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë është bërë. Shto këtu faktin që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare “Trepça” që nuk ka Këshill grevist, që nuk është në përputhje me ligjin me greva. Në Trepçë ka pasur grevë në vitin 2019, 2020 dhe ka pasur këshill grevist, ka pasur gjithashtu diskutim të drejtpërdrejt mbi kërkesat me këshillin grevist. Tani nuk ka këshill grevist, tani po shkaktohen pasoja ligjore për të gjithë involvuarit në procesin e grevës… Përderisa atje Kishnica dhe Novëbërda janë kthyer në punë, ndërsa një pjesë e atyre që janë në grevë në Stantërg kanë ndërprerë grevën, ne konsiderojmë që sot duhet të vazhdohet me agjendën”, deklaroi Kusari-Lila.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri propozoi që në rend të ditës të futet një rezolutë për gjendjen dhe kërkesat e minatorëve të “Trepçës”.
“Tash e dhjetë ditë minatorët e “Trepçës” janë në grevë. Dhe ne për dhjetë ditë në asnjë rrethanë nuk kemi dashur të sjellim në Kuvend, të politizojmë këtë çështje dhe të ketë një debat politik. Sepse i kemi dhënë kohë qeverisë që të zgjidh këtë çështje dhe minatorët të dalin nga greva. Dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ne edhe si komision parlamentar kemi pasur një takim me minatorët ku kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, andaj sot duke pasur parasysh që edhe rregullorja lejon që të trajtohen çështje urgjente, të plotësohet dhe ndryshohet rendi i ditës, ne rezolutën veçse e kemi proceduar dhe kërkojmë që sot të hyjë si pikë e parë e kësaj seance miratimi i një rezolute, me të cilën Parlamenti i Kosovës kërkon mbështetjen e kërkesave të minatorëve të Trepçës”, deklaroi Tahiri.
Këtë mocion e përkrahi edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ku shefi i deputetëve të kësaj partie opozitare, Arben Gashi tha se në mënyrë urgjente të trajtohet çështja e minatorëve të Trepçës.
“Mendojmë që është me rëndësi që kuvendi ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë e cila i kërkon qeverisë që kërkesat e tyre të plotësohen, sepse kërkesat e minatorëve të Trepçës janë kërkesa minimaliste. Kërkesat e tyre janë kërkesa minimaliste, çka kërkojnë ata është që të garantohet që pagat do i marrin në fund të muajit. Trepça është ndërmarrje publike, shteti duhet të garantojë që pagat e tyre në fund të muajit do të ju dalin në llogari. Kjo është e palogjikshme, e paarsyeshme që të detyrohen minatorët që të ngujohen në ‘zgafella’ për javë të tëra. Për çka? Të kërkojnë pagat e tyre. Prandaj mendojmë se kjo duhet të trajtohet me karakter urgjent”, shtoi Gashi.
Krahas kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri kërkoi që të trajtohet edhe çështja e kërkesave të njësive elite të Policisë së Kosovës.
“Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës normal që e mbështet dhe konsideron që është tepër urgjente që të mbahet një seancë dhe të diskutohet çështja e minatorëve. Kjo do të duhej të ndodhte sipas nenit 53 dhe 94 të rregullores së punës të këtij institucioni. Po ashtu është tepër me rëndësi që të diskutohet me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës. Ne kemi pasur një paralajmërim të një proteste dje të FIT-it, sot ka edhe një protestë tjetër. Duhet me urgjencë të trajtohet për shkak se në qoftë se vazhdon ky zingjir i këtyre protestave, atëherë është duke devalvuar vendi dhe institucionet e Kosovës”, u shpreh ai.
Mocioni i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës u përkrah nga vetëm 33 deputetë, 36 e kundërshtuar dhe shtatë abstenuan. Po ashtu nuk është përkrahur as mocioni Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku 34 ishin për, 50 abstenuan, kundër asnjë.
Opozita lëshon seancën e Kuvendit të Kosovës
Partitë opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës pasi pozita nuk e mbështeti mocionin e tyre për të futur në rend dite miratimin e një Rezolute për të mbështetur minatorët e Trepçës dhe një për mbështetje të Policisë së Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se 84 deputetë kanë marrë pjesë në këtë votim.
34 kanë votuar për, 50 kanë abstenuar dhe s’ka pasur asnjë votë kundër.
Për të kaluar ky propozim, sipas Konjufcës janë dashur 63 vota.
Pushteti kundër mocionit të opozitës për “Trepçën”
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër mocionit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta futur në rend dite debatin parlamentar për minatorët, që janë grevë tash e dhjetë ditë
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se Qeveria i ka bërë “të gjitha përpjekjet” për t’u ndërprerë greva e minatorëve të Trepçës.
“Të gjitha përpjekjet për t’u ndërprerë greva apo qëndrimi i grevistëve poshtë në minierë janë bërë. Shto këtu faktin, që fatkeqësisht kjo është greva e parë në shoqërinë aksionare Trepça që nuk ka këshill grevist, nuk është në përputhje me ligjin për greva”, tha ajo.
Sot mblidhet Kuvendi, në rend dite rezoluta mbështetëse e PE-së për veriun
Kuvendi i Kosovës sot do mbajë ë seancë të veçantë do të ketë në rend dite, miratimin e deklaratës në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës po ashtu do të bëj shqyrtimin e pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 28 shtator, 4 dhe 26 tetor 2023 janë: Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësim dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 5 dhe 12 tetor 2023: Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra.
Do të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 19 tetor 2023: Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm, votimi në parim i Projekt Kodit nr.08/L-247 Doganor dhe i Akcizave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-244 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e z. Agron Beka nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022 dhe formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave.