“Nuk mund të rikthehemi në dialog para se të trajtohet ajo që ndodhi më 24 shtator”

Vizita e paralajmëruar e të dërguarve të BE-së SHBA-së, Gjermanisë Francës e Italisë në këtë fundjavë në Kosovë e Serbi po komentohet në mënyra të ndryshme.

Deputetja e partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu, për RTV21 tha se pret që gjatë kësaj vizite të dërguarit të kuptojnë nga afër se çfarë ndodhi më 24 shtator dhe të kenë qasje të barabartë dhe të drejtë në atë çfarë po kërkon Kosova para se t’i rikthehet procesit të dialogut.

“Pres që të dërguarit të kenë qasje të barabartë dhe të drejtë në atë se çfarë ne po kërkojmë si Kosovë për të diskutuar para se t’i kthehemi procesit të dialogut që po vazhdon të jetë kërkesë e ndërkombëtarëve. Presim nga ta që ta kuptojnë se çfarë realisht po ndodh në Kosovë dhe çfarë realisht ndodhi prej 24 shtatorit në mënyrë që çfarëdo që ngjanë tani e tutje në takimet e radhës ose në diskutimet e mundshme që mund të vijnë në vazhdim të jenë diskutime mbi atë që po kërkon Kosova që është vendosja e sanksioneve për Serbinë si dhe të jemi të sigurt që s’do të ketë sulme të radhës nga Serbia sepse akoma ekziston rreziku dhe potenciale për sulme të tjera”, tha Kryeziu për RTV21

Sipas saj, nuk mund të ketë rikthim në dialog para se të trajtohet ajo çka ndodhi më 24 shtator në Banjskë dhe pa sanksionimin e Serbisë.

“Po flasim për një situatë krejt ndryshe nuk është më njëjtë siç ka qenë para 24 shtatorit, sulmi ka ndryshuar rrjedhën e gjithçka që ndërlidhet me procesin e dialogut. Pra jemi në një situatë kur nuk mund të themi po rikthehemi në dialog dhe po vazhdojmë aty ku na mbeti pasi duhet fillimisht të trajtohet ajo çka ndodhi me 24 shtator dhe ne po themi që nuk është e mundur të rikthehemi në dialog dhe të vazhdojmë ku ka mbetur pa diskutuar për këto çështje që mendojmë që janë shumë më të rëndësishme të diskutohet për to para se të rikthemi në dialog’, shtoi ajo.

Teksa flet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, deputetja Kryeziu thotë se aktualisht nuk mund të bisedohet për një temë që nuk e ka rendin.

“Kemi thënë se s’mund ta zgjedhim pikën e 7 ose pikën e 10 të marrëveshjes së Ohrit dhe ta diskutojmë të parën sepse kështu po i pëlqen Serbisë, pra do të ulemi dhe do t’i diskutojmë secilën pikë radhazi”, tha Kryezu./21Media

Back to top button