​“Nuk vjen më në këtë mandat”, deklarohet deputeti i VV-së për Kodin Civil

Ndonëse kishte dështuar të votohet në Kuvendin e Kosovës projektligji për Kodin Civil, kryeministri Albin Kurti është zotuar se do të angazhohet personalisht të ndërtoj një shumicë parlamentare në mënyrë që sipas tij të mbështetet kjo nismë.

Kurti këtë zotim e ka bërë në një fjalim të mbajtur në Berlin, në kuadër të një organizimi të Partisë Socialdemokrate gjermane.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani deklaron se në këtë mandat nuk do të jetë në votim Kodi Civil. Ai thekson se sot ka më shumë deputetë kundër këtij ligji se para dy vitesh.

Ai në një prononcim për kp përsëriti qëndrimin kundër, duke theksuar se nuk do të votojë asnjëherë një ligj të tillë.

Më tej, ai deklaroi se në këtë mandat nuk do të jetë prapë në votim Kodi Civil.

Kuvendi i Kosovës ka provuar ta kalojë Projektligjin për Kodin Civil, në mars të vitit 2022, por 16 deputetë të Kuvendit nuk morën pjesë fare në votim, 28 vota kundër, 28 për dhe katër abstenime.

Një pjesë e madhe të deputetëve të Vetëvendosjes, e kanë kundërshtuar Kodin Civil te pjesa e martesave të gjinisë së njëjtë.

Back to top button