Nuland: Administrata e re është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Uashington ka takuar nënsekretaren e Shtetit, Victoria Nuland. Në takim u riafirmua përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për këtë partneritet të fortë, si dhe angazhimi i palëkundur ndaj vlerave të përbashkëta.
Osmani tha se Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së jashtme të SHBA-vë. Ajo tha se Kosova është një shëmbëlltyrë e vlerave amerikane.
Gjatë takimit, nënsekretarja Nuland shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Osmanin për rolin instrumental të Kosovës në ofrimin e strehimit të përkohshëm për refugjatët afganë dhe tha se kjo është edhe një shfaqje e përkushtimit të Kosovës ndaj kësaj miqësie dhe partneriteti të gjatë.
Nuland theksoi se administrata e re është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe gjithë rajonin, si dhe për mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, Osmani tha se Kosova nuk ka aleat më të madh se SHBA-të dhe rikonfirmoi përkushtimin ndaj vlerave që i bashkojnë dy vendet tona fuqishëm. Presidentja po ashtu theksoi përkushtimin e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e perspektivës ekonomike për popullin e Kosovës./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?