Nxirren nga Lepenci trupat e tre shtetasve të Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Nxirren nga Lepenci trupat e tre shtetasve të Kosovës

Ambasada e Kosovës në Shkup ka njoftuar se janë nxjerrë trupat e pajetë familjes kosovare në lumin Lepenc.

Sipas njoftimit viktimat janë nxjerrë bashkë me veturën.

“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intenzive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxerrja e veturës, me trupat e pajetë në të”- thuhet në njoftim.

Ambasada e Kosovës në Shkup ka shprehur ngushëllime për këtë tragjedi dhe ka falënderuar institucionet e përfshira në këtë rast.


Del në sipërfaqe vetura që ra në lumin Lepenc

Ekipet e shpëtimit e nxorën në sipërfaqe veturën “BMW” me targa të Kosovës që gjatë ditës së djeshme ra në ujërat e lumit Lepenc në rrugën Shkup-Bllacë, përcjell TV21.

Autoritetet ende nuk kanë konfirmuar nëse në veturë gjenden edhe tre trupat e shtetasve kosovarë që gjendeshin në veturë.


Ekipet e shpëtimit gjejnë një veturë në Lepenc

Ekipet e shpëtimit kanë gjetur një veturë në lumin Lepenc, përcjell TV21.

Për momentin po bëhet tërheqja e së njëjtës, ndërkaq pritet edhe konfirmimi i autoriteteve nëse bëhet fjalë për veturën “BMW” me targa të Kosovës, e cila dje pasdite ra në lumë, ndërsa në veturë ishin 3 persona.

Vetura është gjetur 300 metra në largësi nga vendi i aksidenti të djeshëm


Në kërkim të 3 të zhdukurve nga aksidenti në rrugën Shkup-Bllacë, rruga nuk ka mbrojtëse anësore

Institucione shtetërore e vullnetarë nga Maqedonia e Veriut e nga Kosova janë mbledhur për të kërkuar 3 të zhdukurit nga aksidenti i djeshëm në rrugën Shkup-Bllacë.

Po kërkohet edhe makina me të cilën ranë në lumin Lepenc.

Ekipet koordinoheshin mes vete se kush nga cila anë të shkojë, deri sa të tjerët po visheshin me rrobat e tyre adekuate dhe me barkën e shpëtimit hynë në ujë.

Kërkimet po i bëjnë edhe me dron, por ende nuk janë gjetur shenja që çojnë në gjetjen e shtetasve të Kosovës.

Në rrugë ende qëndrojnë shenjat me shkumës të bardhë që janë vendosur nga organet e hetimit për të parë se si ka ndodhur aksidenti.

“Ndodhemi në rrugën Shkup-Bllacë pikërisht në vendin ku dje si pasojë e një aksidenti  në mes dy veturave, vetura me targa të Kosovës ra këtu në lumin Lepenc. Siç shihet edhe nga pamjet e pikërisht në këtë vend nuk ka të vendosura bankina mbrojtëse”, raporton Valmira Zendeli, gazetare TV21.

Pak çaste pasi ka ndodhur aksidenti, Naman Ahmeti, taksist nga Kosova, ka qenë duke e kaluar rrugën. Tregoi se ekipet e ambulancës kanë arritur në vendngjarje shumë shpejt, por ngjarjet janë zhvilluar aq shpejtë që as ekipet e ndihmës së shpejtë nuk kanë arritur ta shohin veturën në lumë.

“Minutat kanë qenë në pyetje që kur ka ndodhur aksidenti, të gjitha copat e plastikës i kemi parë në asfalt, copa të parakolpit, duke mos e menduar se është vetura atje poshtë. Kur e pamë një “Tauran” me tabela të Shkupit, ngjyrë hiri e mbyllur, ne menduam se vetëm ai është rrokur, por e shihnim dhe kërkonim edhe makinën tjetër. Kur ka piskatur nga atje poshtë, atje ku ka rënë vetura me njerëzit brenda, nuk shihej vetura, kjo shenjë shumë e keqe për mendimin tim. Procesi i kërkim-shpëtimit do të vazhdojë deri sa të gjenden personat”, theksoi Naman Ahmeti, taksist dëshmitar.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti thotë se po bëjnë kërkimet në perimetër prej 3.5 deri në 5 kilometra, por kërkimet po i vështirëson edhe moti jo i mirë.

“Nuk ka shenja akoma. Nuk flasim për shpresa dhe nuk mund të flasim për afate kohore. E dini shumë mirë para disa muajsh në një fatkeqësi të ngjashme në komunën e Tetovës, ku një djalosh i ri nga Kumanova ra, pas ditës së 7 neve arritëm që ta gjejmë trupin. Pra neve nuk do të përfundojmë deri në mbylljen me sukses të këtij operacioni”, deklaroi Bekim Maksuti, drejtor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

MPB ka informuar se ka arrestuar personin  B.B. nga Shkupi, i cili u përfshi në aksident, ndërkaq shtojnë se personi i 4 që ka shpëtuar është i moshës 16 vjeç dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas informacioneve nga Prokuroria e Shkupit, deri te aksidenti ka ardhur kur vetura e tipit “Folksvagen Turan” me targa të Maqedonisë ka tejkaluar një kolonë veturash.

“Në momentin kur ka arritur paralelisht te vetura me targa të Kosovës “BMW” e cila ka lëvizur në të njëjtën kolonë, dy veturat janë afruar dhe janë përplasur njëra me tjetrën, pas së cilës vetura me targa të Kosovës me katër udhëtarë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur në lumin Lepenc”, thonë nga Prokuroria.

Ministri i Brendshëm i Kosovës ka shkruar se në aksionin e kërkimit janë angazhuar 30 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetarë profesionistë të kërkim shpëtimit./TV21

Back to top button