OAK kërkon nga Ministria e Mjedisit t’u largohen bizneseve taksat ‘antiligjore’

Në lidhje me këtë OAK ka organizuar edhe takime ndërministrore

Problemet e taksës së dyfishtë për prodhuesit e peshkut e cila është premtuar nga Ministri Matoshi para disa muajve që brenda pak ditësh do të hiqet dhe Ligji për Taksën Rrugore dhe Ekologjike për rimorkio, ishin temat kryesore të diskutimit në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës të drejtuar nga anëtari i bordit, Hysni Zogaj me Këshilltarin Politik të Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Nazmi Krasniqi ka njoftuar Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një komunikate për media.

Zogaj ka theksuar që qëllimi i këtij takimi është problemi me të cilin po përballen bizneset të cilat në bazë të Ligjit për Taksën Rrugore dhe Ekologjike për Automjete, po obligohen të paguajnë taksë ekologjike për rimorkio edhe pse ajo nuk ka fuqi motorike.

Zogaj ka shtuar që nisur nga fakti që taksa ekologjike mblidhet me qëllim të përmirësimit të cilësisë së mbrojtjes së ambientit, OAK konsideron që mjetet e mbledhura nga kjo taksë duhet të shfrytëzohen konform këtij qëllimi pasi që edhe gjendja momentale e cilësisë së ajrit në vend është alarmante.

Zyrtari ligjor i biznesit anëtarë ScanColor Jysk, Arbër Paçarizi ka konsideruar që një taksë e tillë është e panevojshme dhe paraqiti disa nga dëshmitë e pagesave të bëra nga biznesi të cilin ai përfaqëson.

Zyrtarja e OAK-së, Qëndresa Ibrahimi ka veçuar problemin e taksës së dyfishtë me të cilën përballen bizneset e peshkut, e të cilën Oda e ka adresuar edhe më parë tek MMPH dhe është premtuar zgjidhja e shpejtë e saj.

Këshilltari Politik i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Nazmi Krasniqi ka theksuar që përkrahë kërkesën e adresuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës lidhur me Ligjin për Taksën Rrugore dhe Ekologjike për Automjete, duke shtuar që një nga arsyet e pagesës së taksës ekologjike edhe për rimorkio është mos përkufizimi i drejtë i termit automjet në këtë ligj. Ai shtoi që MMPH ka kërkuar që automjeteve t’u vendosen pulla mjedisore, përmes së cilave do të bëhej kategorizimi i veturave në bazë të dëmit që shkaktojnë në ambient.

Krasniqi ka premtuar që do të punojë në shtyrjen e këtyre kërkesave dhe se do të njoftoj odën ditët në vijim për zhvillimet e bëra.

Kujtojmë se në lidhje me këtë, OAK ka organizuar edhe takime ndërministrore ku edhe përkundër premtimeve të Ministrit Fatmir Matoshi, kjo nuk po ndodh.

Back to top button