Objekt në vendin e varrezave, banorët kundër: Janë gërmuar edhe varre

Në fshatin Trapçindoll të poshtëm EVN-ja po bën ndërrimin e sistemit të trafostacionit, por përveç kësaj në vendin e varrezave ata kanë filluar të ndërtojnë edhe një objekt me madhësi 5 metra. Kjo ka ngjallur reagime te një pjesë e banorëve të fshatit, të cilët thonë se është uzurpuar vakëfi, vendi i varrezave të fshatit, pa leje të banorëve. E ajo që është më shqetësuese është se banorët pohojnë se në këtë vend ku po ndërtohet trafo stacioni ka pasur më se paku tre deri pesë varre, e me punimet e këtij objekti nuk dihet se ku janë dërguar apo ku kanë përfunduar eshtrat.

“25 kuadrat Bashkësia Islame duhet ta dijë se sa kuadrat i takojnë një personi, 40 metër katror. Bashkësia Islame me të gjithë ata që i kanë largu varret edhe ai që ka bartur dheun të gjej eshtrat e njerëzve. Sa varre janë? Po le të jetë një ja unë them një, por sipas dijenisë sime janë 5 varre, sepse mi ka treguar babai”, thotë Nazmi Zulku, banor.

“Kërkojmë nga Bashkësia Islame, nga EVN-ja, nga Bashkësia Lokale e fshatit që menjëherë për këtë rast të njoftojnë organet policore, prokurorinë dhe të merren masa për atë i cili e ka marrë këtë veprim pa leje të fshatit, pa leje të Bashkësisë Islame dhe njëkohësisht EVN-ja pa asnjë dokumentacion përkatës në lidhje me rastin, jemi jashtëzakonisht të prekur”, thotë Feto Asani, banor.

Nga Bashkësia Fetare Islame në Kërçovë thonë se EVN-ja i ka njoftuar vetëm se do të bëhet ndërrimi i kabllove të vjetra me të reja, por nuk kanë qenë të njoftuar se në vendin e varrezave e do të ndërtohet një objekt. Sa u takon varreve për të cilat flasin banorët thonë se nuk janë në dijeni se në at vend ka pasur varre, ndërsa pohojnë se nëse është ashtu duhet bartur përgjegjësi.

“Ne kemi vërtetuar se po ndërtohet objekt dhe nuk kemi parë asnjë shenjë se ka pasur varre, mirëpo në qoftë se ka pasur një gjë të tillë, kjo edhe më shumë e rëndon peshën dhe përgjegjësinë për cilindo institucion apo subjekt fizik apo juridik që bënë ndërtim tek varrezat, ashtu siç mundohemi të ruajmë dhe kultivojmë vakëfin përgjegjësi shtesë kemi edhe për varrezat që janë pjesë e vakëfit”- pohoi Xhemail Ahmeti, sekretar i BFI-Kërçovë.

Nga EVN- për TV21 thanë se nuk ka pasur nevojë për leje për shkak se shtylla ka qenë ekzistuese dhe është bërë vetëm modernizimi i rrjetit. Por pas reagimit të banorëve i kanë ndërprerë punimet për shkak të objektit i cili po ndërtohet në vendin e varrezave.

“Në regjionin e Kërçovës përkatësisht në fshatrat Trapçindoll dhe Dllapkindoll bëhet rikonstruimi dhe modernizimi i rrjetit aktual elektrik me qëllim të përmirësimit të sigurisë dhe cilësisë së rrymës. Një ndër aktivitetet është edhe zëvendësimi i trafo stacionit ekzistues në fshatin Trapçindoll me trafo stacion të ri. Në lokacionin përkatës janë ndërprerë punimet dhe do të vazhdojnë vetëm pas marrëveshjes së përbashkët me Bashkësinë Fetare Islame dhe banorët e fshatit”- thanë nga EVN Maqedoni.
Punimet për momentin janë ndërprerë, ndërsa një grup banorësh kërkojnë dorëheqjen e kryesisë së Bashkësisë Islame dhe Bashkësisë Lokale për këtë rast makabër siç e quajnë ata, pasi sipas tyre këta dy organe kanë dhënë leje gojarisht për ndërtimin e këtij objekti./TV21

Back to top button