“Objektivat e Rusisë tani shtrihen përtej rajonit lindor të Donbasit në jug të Ukrainës”

Objektivat e Rusisë në Ukrainë tani shtrihen përtej rajonit lindor të  Donbasit në jug të vendit, deklaroi një ministër i lartë i qeverisë.
Derisa lufta në Ukrainë po i afrohet muajit të pestë, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov tha për mediat shtetërore se “gjeografia është e ndryshme”.
“Është larg nga të qenit vetëm DPR (Republika Popullore e Donetskut) dhe LPR (Republika Popullore e Luhanskut) – është gjithashtu rajoni Kherson, rajoni i Zaporizhzhia dhe një numër territoresh të tjera. Dhe ky proces vazhdon, ai vazhdon në mënyrë të qëndrueshme dhe këmbëngulëse”, tha Lavrov gjatë një interviste për RIA Novosti, botuar të mërkurën.
Vërejtjet e Lavrov sinjalizojnë qasjen e ripërqendruar të Kremlinit ndaj luftës në Ukrainë.
Vetëm tre muaj më parë, presidenti rus Vladimir Putin i kishte zhvendosur përpjekjet ushtarake  në lindje të vendit pasi kishte dështuar të pushtonte Kievin.
Në fillim të këtij muaji, forcat ruse kanë ndjekur urdhrin e Putinit dhe kanë pushtuar Lysychansk-un, qyteti i fundit në rajonin e Luhansk-ut, ende në duart e Ukrainës. Lëvizja e tyre e radhës parashikohej të ishte në rajonin fqinj të Donetsk-ut.
Nëse Donetsku do të binte, Moska do të pushtonte të gjithë rajonin Donbas të Ukrainës lindore, i cili ka strehuar fraksione separatiste të mbështetura nga Rusia që nga viti 2014, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Megjithatë, sistemet e armëve amerikane të furnizuara së fundmi me vlerë 400 milionë dollarë forcuan aftësinë e ushtrisë ukrainase për të goditur objektivat ruse – një faktor i rëndësishëm që shkaktoi probleme të reja për Moskën.
Lavrov vuri në dukje se derisa Perëndimi vazhdon të furnizojë Ukrainën me më shumë armatime me rreze të gjatë, duke përfshirë Sistemin e Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS), objektivat gjeografike të Rusisë në Ukrainë do të largohen më tej nga linja aktuale.
“Ne nuk mund të lejojmë asnjë armë në pjesën e Ukrainës të kontrolluar nga Zelensky – ose kushdo që do ta zëvendësojë atë – që përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë ose territorin e republikave që shpallën pavarësinë ose ato që dëshirojnë të përcaktojnë të ardhmen e tyre në mënyrë të pavarur. Presidenti ishte shumë i qartë, siç cituat ju: denazifikimi dhe çmilitarizimi në kuptimin që nuk duhet të ketë asnjë kërcënim për sigurinë tonë, asnjë kërcënim ushtarak nga territori i Ukrainës dhe ky objektiv mbetet”, shtoi Lavrov./21Media

Back to top button