OBSH e quan shqetësues variantin e ri të Covid-19
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin për variantin e ri të COVID-19.
Sipas OBSH-së, varianti me emrin Omicron, u raportua për herë të parë në Afrikën e Jugut më 24 nëntor.
I njohur si B.1.1.529, ai është identifikuar gjithashtu në Belgjikë, Botsvanë, Hong Kong dhe Izrael.
Në një deklaratë të OBSH-së të premten, ku zyrtarisht është emëruar edhe varianti i ri, u tha se numri i rasteve të këtij varianti duket se po rritet në pothuajse të gjitha provincat e Afrikës së Jugut.
“Ky variant ka një numër të madh mutacionesh, disa prej të cilave janë shqetësuese”, thuhet në një deklaratë.
Nuk është e pazakontë që një virus të ndryshojë me kalimin e kohës. Një variant bëhet një variant shqetësues kur ai mutacion mund të ndikojë në gjëra të tilla si transmetueshmëria, virulenca ose efektiviteti i vaksinave.
OBSH ka thënë se do të duhen disa javë për të kuptuar ndikimin e variantit të ri, pasi shkencëtarët punojnë për të përcaktuar se sa i transmetueshëm është.
Megjithatë, Britania e Madhe, vendet e BE-së dhe Zvicra kanë ndaluar përkohësisht fluturimet nga disa vende të Afrikës Jugore./21Media