OBSH: Personat që kanë vuajtur nga Covid-19, mund të infektohen me Omicron

Versioni i ri i koronavirusit i Afrikës së Jugut po depërton gjithnjë e në më shumë vende. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron është një rrezik infektimi edhe për ata persona që kanë vuajtur më parë nga Covid-19.
OBSH rekomandoi që vendet të mos nxitohen duke bllokuar udhëtimet, por të bazohen në të dhënat shkencore.
Megjithatë, një numër i caktuar shtetesh kanë ndaluar udhëtimet nga Afrika e Jugut dhe fqinjët e saj nga frika e versionit të ri të koronavirusit.
Trembëdhjetë pasagjerë që kanë arritur në Amsterdam nga Afrika e Jugut kanë rezultuar pozitivë me Omicron.
Po ashtu, në aeroport policia ka ndaluar një çift që është arratisur nga karantina që ishte vendosur në një hotel. Çifti është kapur në një avion pak para se të niseshin për në Spanjë.
Holanda ka shtrënguar të premten masat në lidhje me versionin e ri të koronavirusit, madje edhe Japonia ka mbyllur kufijtë e saj për shtetasit e huaj. Kjo masë pritet të zgjasë deri në tri javë.
Presidenti i Afrikës së Jugut ka kritikuar bllokimet e vendeve të tjera, duke u bërë thirrje këtyre shteteve që t’i heqin ato menjëherë.

Back to top button