OBSH: Rënie e rasteve të reja me COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se ka vërejtur një rënie të ndjeshme të numrit global të rasteve të reja me COVID-19.
“Numri global i rasteve të reja u ul me 19% nga numri i raportuar gjatë javës së kaluar, ndërsa numri i vdekjeve të reja mbeti i ngjashëm me javën e kaluar”, deklaroi OBSH-ja në përditësimin e saj javor epidemiologjik.
Në gjashtë rajone të botës janë raportuar pak më shumë se 16 milionë raste të reja dhe pak më pak se 75 mijë vdekje të reja. Pandemia ka arritur kulmin për momentin në javën e fundit të janarit me mbi 22 milionë raste.
Megjithatë, OBSH-ja jo vetëm që ka raportuar një rënie të rasteve të reja të koronavirusit, por edhe një rritje të qëndrueshme të nënvariantit BA.2 të Omicron, i cili mund të transmetohet edhe më shpejt.
BA.2 përbënte më shumë se një të pestën e të gjitha rasteve të Omicron të analizuara në mbarë botën në fillim të shkurtit. Sipas OBSH-së, BA.2 është në rritje në vendet me valën Omicron.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se gjysma e Evropës do të infektohet me variantin Omicron brenda gjashtë deri në tetë javët e ardhshme. Doktori Hans Kluge ka thënë se një valë baticore nga perëndimi në lindje” e Omicron po përfshinte gjithë rajonin, në krye të një rritjeje të rasteve me variantin Delta.
Ai ka thënë se shtetet Evropiane dhe të Azisë Qendrore janë nën “presion intensiv” pasi virusi po përhapet në vendet perëndimore të Ballkanit.
Studimet e fundit sugjerojnë që Omicron ka më pak gjasa që të sëmurë rëndë njerëzit se variantet e mëparshme të Covid. Por Omicron është akoma shumë infektues dhe mund të infektojë njerëzit e vaksinuar.
Në anën tjetër shefi i kompanisë farmaceutike Pfizer, Ugur Sahin, ka thënë se “Duhet të mësohemi me faktin se duhet të jetojmë me virusin për 10 vitet e ardhshme”.
“Gjithmonë do të ketë mutacione të reja, por ne duhet të jemi më të përgatitur, ka shtuar ai./21Media

Back to top button