Oda Amerikane në Kosovë shënoi 18 vjetorin e punës në shërbim të komunitetit të biznesit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shënoi 18 vjet të punës në shërbim të komunitetit të biznesit. Gjatë gjithë këtyre viteve, ajo së bashku me anëtarët e saj ka mbetur e përkushtuar për përmirësimin e mjedisit të biznesit në Kosovë dhe krijimit të mundësive për nxitjen e investimeve të jashtme dhe të brendshme, si dhe të promovimit të ndërmarrësisë.
Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës tha se gjatë 18 vjetëve të fundit, Oda Amerikane ka krijuar reputacionin e saj si një shtyllë e pazëvendësueshme e komunitetit të biznesit. Ambasadori Hovenier theksoi rëndësinë kritike të organizatave si Oda Amerikane në avokimin e nevojave të sektorit privat dhe nevojës së marrjes në konsideratë të këtij avokimi nga ana institucioneve qeveritare. Më tej, ai tha se sektori privat është shtytësi kryesor i rritjes ekonomike.
Kryeministri, Albin Kurti tha se vizioni i tyre afatgjatë është që Kosova të bëhet vendi më prosperues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se Kosova ka diçka që vendet e rajonit nuk e kanë, dhe ajo është komuniteti i fortë i biznesit nga mërgata jonë, sidomos në Amerikë.
”Si Qeveri, dhe në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe odat tjera, synojmë të krijojmë politika dhe ambient të të bërit biznes që mundëson rritje të hovshme dhe të qëndrueshme të Investimeve të Huaja Direkte, eksportit, konkurrueshmërisë së kompanive vendore, startupeve, si dhe infrastrukturës që mundëson rritjen e këtyre të mësipërmeve”, tha Kurti.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv, tha se përgjatë 18 vjetëve të ekzistencës së saj, Oda Amerikane është organizata më aktive e biznesit në vend me më shumë se 100 aktivitete publike në vit, derisa është e renditur lart edhe në mesin e 46 odave amerikane të Evropës. Ai tha se derisa organizata angazhohet vazhdimisht për qasje inovative dhe aktivitete kreative, ajo që do të mbetet e pandryshuar është përkushtimi dhe pasioni për t’i shërbyer sektorit privat./21Media
Back to top button