Oda e Avokatëve bojkoton Prokurorinë Themelore të Prishtinës

 

Oda e Avokatëve të Kosovës ka marrë vendim që të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga të gjithë Avokatët e Republikës së Kosovës, për shkak se siç vlerësojnë nga kjo ode të trajtimit të padinjitetshëm të avokatëve, lidhur me çasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“BOJKOTI fillon prej datës 08 shkurt 2021 nga ora 08:00, nëse nuk eliminohen pengesat e paraqitura, ashtu që sipas këtij vendimi OBLIGOHEN AVOKATËT të zbatojnë këtë VENDIM, moszbatimi i të cilit përbën shkelje të rëndë disiplinore.”, thuhet në njoftimin e OAK.

Oda e Avokatëve ka treguar se arsyeja e nxjerrjes së këtij vendimi është se avokatët që kanë për të kryer punë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, presin në radhë me qytetarë për të hyrë në Prokurorinë Themelore, kontrollohen dhe detektohen nëpërmjet skanerit sa herë që hyjnë në këtë Prokurori dhe në rast se lejohen nga zyrtari i pranimit, u ndalet telefoni personal. “Poashtu, për t’u çasur në zyrat individuale të prokurorëve, avokatët nuk mund të lëvizin pa shoqërimin e asistentit të Prokurorit edhe përkundër faktit se avokati, e ka të caktuar seancën paraprakisht.”, sqaron tutje OAK.

OAK, njofton ka zhvilluar tashmë disa takime dhe ka komunikuar në vazhdimësi me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që të hiqen/eliminohen pengesat si në vijim:. Pritjet e avokatëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, bashkë me palët; Kontrollimi i avokatëve përmes skaner-it, sikurse për palët; Kontrollimi fizik i avokatëve; Detyrimi për mosbartjen e telefonit me vete.

“Duke pasur parasyshë që avokatët përfaqësojnë interesat e palës, asnjëherë nuk mund të konsiderohet se avokati është i barabartë me palën, e aq më tepër të trajtohet njejtë.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se me 2 dhjetor 2020 OAK ka marrë qendrim të cilin e ka adresuar te Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke kërkuar që avokatët të mos kenë pengesa për qasje në objektet e Prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës deri te administrata e Prokurorive, me theks të veçantë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e poashtu që urgjentisht të eliminohen problemet, meqenëse sic thotë OAK deri më tani, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk kanë reflektuar pozitivisht lidhur me këto kërkesa atëhërë është marrë vendimi për bojkot./21Media

Back to top button